Cilat janë rregullat e agjërimit?
***
Përgjigjja:
Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë Allahut të Lartësuar, Zotit të botëve. Paqja dhe bekimi qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin, dhe mbi të gjithë ata të cilët ndjekin rrugën e tij deri në ditën e fundit.
Të agjërosh do të thotë të privohesh nga ushqimi, pija, marrëdhëniet seksuale dhe nga të gjitha shkaqet e tjera që e prishin agjërimin, duke filluar nga agimi (imsaku) e deri në perëndimin e diellit, me qëllim adhurimin dhe bindjen ndaj Allahut.
Agjërimi i muajit Ramazan është një detyrim islam dhe një nga pesë shtyllat kryesore të tij. Agjërimi ka qenë detyrim edhe për besimtarë të tjerë para nesh, të cilëve u janë dërguar Profetë. Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që keni besuar, agjërimi u është bërë obligim sikurse ishte obligim edhe për ata që ishin para jush, në mënyrë që të bëheni të devotshëm.” (Bekare: 183)
Agjërimi i muajit Ramazan është bërë detyrim për muslimanët në vitin e dytë të hixhretit (emigrimit). Për vlerat e mëdha të këtij muaji dhe të agjërimit të tij, Profeti Muhamed ﷺ ka thënë: “Ju ka ardhur një muaj i bekuar, në të cilin është bërë detyrim agjërimi. Në këtë muaj janë hapur dyert e Xhenetit, janë mbyllur dyert e Xhehenemit dhe shejtanët janë lidhur në pranga. Në të gjendet një natë, e cila është më e mirë se një mijë muaj.” [1]
Çfarë e prish agjërimin?
1. Të ngrënët dhe të pirët me qëllim: Kush ha ose pi me harresë ose është i detyruar, nuk e ka prishur agjërimin dhe nuk e ka detyrë ta kompensojë. Profeti ﷺ thotë: “Kush harron në agjërim dhe ha e pi, le ta vazhdojë agjërimin se atë e ka ushqyer Allahu i Lartësuar.” [2]
2. Marrëdhëniet seksuale: Ai që kryen marrëdhënie seksuale duke e ditur se është agjërueshëm dhe duke e ditur se ato e prishin agjërimin, ai duhet të agjërojë një ditë tjetër si shlyerje pas Ramazanit, plus edhe dy muaj rresht si dënim për nënvleftësimin ndaj këtij muaji të shenjtë. Këto dy muaj duhet të agjërohen ditë pas dite, rresht, pa shkëputje. Kjo vlen vetëm për prishjen e agjërimit me marrëdhënie seksuale. Ebu Hurejra thotë: “Erdhi një burrë tek Profeti ﷺ dhe i tha: “U shkatërrova, o i Dërguari Allahut!” Profeti e pyet: “Cila gjë të shkatërroi?” Ai u përgjigj: “Kreva marrëdhënie gjatë agjërimit të Ramazanit.” Profeti i tha: “A mund të lërosh një rob?” Ai i tha: “Jo.” Profeti i tha: “A mund të agjërosh dy muaj rresht?” Ai i tha: “Jo.” Profeti i tha: “A mund të ushqesh gjashtëdhjetë të varfër?” Burri i tha jo dhe u ul. Në këtë moment Profetit i sollën një shportë të madhe me hurma. Profeti ﷺ ia dha këtë enë atij burrit që i erdhi dhe i tha: “merre këtë shportë dhe shpërndajua të varfërve.” Burri ia ktheu: “A ka më të varfër se unë?! Nuk gjen ndërmjet dy skajeve të Medinës familje më nevojtare sesa e imja.” Atëherë Profeti ﷺ qeshi aq sa iu dukën dhëmballët dhe tha: “Shko dhe ushqe me të familjen tënde.” [3]
3. Provokimi i të vjellit: Kur kjo ndodh pa qëllim, atëherë agjërimi është i saktë. Profeti ﷺ ka thënë: “Kush vjell pa e provokuar, nuk e ka prishur agjërimin dhe kush e provokon atë, le të agjërojë një ditë kaza.” [4] Ky është mendimi unanim i të gjithë dijetarëve.
4. Dalja e gjakut te femra për arsye menstruale apo të lindjes, edhe në qoftë se kjo ndodh pak çaste para se të perëndojë dielli. Për këtë pikë dijetarët islamë janë të një mendimi.
5. Ejakulimi, nga çdo lloj epshi, qoftë edhe kur nuk kryhen marrëdhënie seksuale, si për shembull ejakulimi nga ngacmimet vetjake apo të huaja, fërkimet, puthjet etj. Nëse ejakulimi vjen si pasojë e sëmundjes, gjumit apo rrëzimit, kjo gjë nuk e prish agjërimin. Gjithashtu ai nuk prishet me shikimin e një gjëje eksituese ose me mendim, edhe në qoftë se kjo zgjat për një periudhë të gjatë kohe. Këtu futet edhe dalja e spermatoreas (lëng i tejdukshëm që del para daljes së spermës nga eksitimi) apo sekrecioni i prostatit (lëng i trashë që del me urinën).
Allahu i Madhëruar në një hadith kudsij thotë: “Ai (agjëruesi) të ngrënët, të pirët dhe epshin e tij e lë për mua. Agjërimi është për mua dhe Unë shpërblej për të.” [5]
6. marrja e ilaçeve nga goja apo e çdo gjëje tjetër, si për shembull kokrra e drithit ose orizi të pagatuara, guralecë, shkop, gjëra të dëmshme e të padëmshme, me kusht që ta kalojnë fytin dhe nëse kjo bëhet me vetëdije dhe duke e ditur se është agjërueshëm.
7. Kush e bën nijet të prishë agjërimin gjatë tij, e ka prishur atë edhe nëse nuk ka futur gjë në gojë. Kjo sepse nijeti është kusht për agjërimin
8. Futja e ujit në bark gjatë abdesit pa dashje nga neglizhenca. Shumica e dijetarëve janë të mendimit se ai që merr abdest dhe e kalon ujin e tij në bark jo nga harresa, por nga pakujdesia e momentit, ai e ka prishur atë ditë dhe duhet ta zëvendësojë më vonë. Kjo bazohet në hadithin e Profetit ﷺ, i cili thotë: “Kur të shpëlash hundën (në abdest), çoje ujin sa më lart, përveçse kur je me agjërim.” [6]
Imam Ebu Hanife, Maliku dhe Shafiu janë të mendimit se kjo e prish agjërimin, përndryshe Profeti ﷺ nuk do ta ndalonte çuarjen e ujit sa më lart gjatë agjërimit.
9. Pirja e duhanit. Dijetarët bashkëkohorë të fikut, kanë rënë dakord se pirja e duhanit futet tek ato gjëra të cilat e prishin agjërimin. Në lidhje me këtë çështje, ata kanë dhënë argumente të shumta.
Çfarë nuk e prish agjerimin?
1. Të ngrënët, të pirët dhe marrëdhëniet seksuale me harresë: Profeti ﷺ thotë: “Kush harron gjatë agjërimit dhe ha ose pi diçka, le ta vazhdojë agjërimin sepse atë e ka ushqyer Allahu i Lartësuar.” [7]
2. Të vjellët pa provokim: Kjo bazohet në hadithin e përmendur më lart.
3. futja e pluhurit, grimcave të rërës apo e ndonjë insekti pa dashje në stomak: Dihet që është shumë e vështirë që njeriu të ruhet prej këtyre gjërave. Allahu i Lartësuar thotë në Kuran: “Dhe nuk ju ka bërë juve vështirësi në fe.” Gjithashtu në këtë logjikë futet edhe mbajtja e ndonjë sendi në gojë, si laps, gomë apo ndonjë gjë tjetër, por me kusht që të mos ketë shije, ngjyrë apo erë që arrin në fyt.
4. Përdorimi i misvakut nuk e prish agjërimin: Profeti ﷺ e ka përdorur atë dhe ka thënë: “misvaku është pastrues për gojën dhe kënaqësi për Allahun.” [8]
5. Përdorimi i gjilpërave joushqyese për trupin, të cilat vendosen në damar ose në mish: Kjo gjë nuk e prish agjërimin për arsye sepse nuk konsiderohet si ushqyes për trupin. Në këtë pjesë si shembull mund të përmendim kurimin me ilaçe mbi plagë të ndryshme, edhe në qoftë se ilaçi arrin të depërtojë në brendësi të trupit. Nuk duhet harruar se transfuzioni i gjakut dhe serumi e prishin agjërimin, pasi janë ushqyese për trupin e njeriut.
6. Përcjellja e pështymës ose e ushqimit që ndodhet ndërmjet dhëmbëve, nëse është shumë pak.
7. Futja e ujit në gojë, me kusht që të mos shkojë në fyt: Kjo ndodh kur marrim abdest apo kur shpëlajmë gojën për shkak të vapës. Lejohet gjithashtu edhe larja e trupit për freskim etj., se Profeti ﷺ e ka lagur kokën e tij gjatë agjërimit nga etja ose vapa. [9]
8. Puthja e gruas, prekja, përqafimi etj. Kjo vlen për ato raste kur njeriu e kontrollon veten. Aishja r.a. thotë: “Profeti ﷺ ka puthur gjatë agjërimit dhe ka qëndruar në intimitet, por ishte më i vetëpërmbajturi ndaj epshit të tij krahasuar me ju.” [10]
9. Ai që ha, pi ose bën diçka tjetër nga ato gjëra që e prishin agjërimin me mendimin se akoma nuk ka filluar dita e agjërimit. Ky person nuk e ka prishur agjërimin, pasi origjina është vazhdimi i natës dhe dyshimi i tij nuk merret në konsideratë.
10. Provimi i shijes së ushqimit me majën e gjuhës nuk e prish atë.
11. Larja e dhëmbëve, me kusht që pasta e dhëmbëve mos ta kalojë fytin.
12. Shkulja e dhëmbëve ose kurimi i tyre, në qoftë se lëndët e përdorura nga mjeku nuk arrijnë në fyt.
Disa dobi të agjërimit
Agjërimi është një adhurim i pasur me dobi shpirtërore, sociale dhe mjekësore. Nga dobitë shpirtërore mund të përmendim: agjërimi e forcon më shumë besimtarin në sinqeritetin e tij ndaj Allahut, e bën atë më të durueshëm nga uria dhe etja dhe kjo gjë e forcon atë më shumë për sprovat e jetës. Agjërimi e bën besimtarin të mendojë më shumë praktikisht për njerëzit e varfër, të cilën në shumë raste kanë uri dhe i merr etja. Agjërimi e largon njeriun nga mëkatet dhe në të njëjtën kohë e nxit besimtarin të punojë brenda këtij adhurimi e të veprojë punë të mira. Ai e nxit besimtarin të ndihet më afër me besimtarët e tjerë. Agjërimi e pastron besimtarin nga veset e liga.
Nata e Kadrit dhe argumentet që flasin për të
Nata e Kadrit është nata më e mirë e gjithë vitit. Allahu i Madhëruar thotë në Kuranin Fisnik: “Nata e Kadrit është më e mirë se një mijë muaj.” (Kadër: 8) Pra, vepra e mirë në këtë natë, për shembull namazi, leximi i Kuranit, përmendja e Zotit, është më e mirë se vepra e një mijë muajve.
Kërkimi i natës së Kadrit
Është e pëlqyeshme që të kërkohet kjo natë në netët teke të dhjetëditëshit të fundit të muajit Ramazan. Transmetohet se Profeti ﷺ e ka kërkuar këtë natë në dhjetëditëshin e fundit të këtij muaji. Kur hynte fundi i muajit, Profeti ﷺ i përkushtohej Allahut në këto net me adhurim.
Në cilën natë të muajit është ajo?
Dijetarët islamë kanë mendime të ndryshme për këtë çështje. Dikush prej tyre mendon se ajo është në natën e njëzetenjëtë, dikush mendon se është në natën e njëzetetretë, dikush mendon se është në natën e njëzetepestë dhe dikush në të njëzetenëntën. Por një numër i konsiderueshëm mendojnë se ajo lëviz nga viti në vit. Pra, një vit mund të jetë në të njëzetenjëtën dhe në vitin tjetër mund të jetë në një natë tjetër. Disa të tjerë mendojnë se ajo është në natën e njëzeteshtatë. Ndër këta janë Ibn Abasi dhe Ubej ibn Ka’bi. [11]
Profeti ﷺ ka thënë: “Kush do që ta kërkojë atë, le ta kërkojë në natën e njëzeteshtatë.” Ubej ibën Ka’bi betohej dhe thoshte se ajo ishte në natën që na urdhëroi Profeti ﷺ që të bëjmë ibadet, e njëzeteshtata. [12]
Nga shenjat e kësaj nate është qetësia shpirtërore që ndjen njeriu në të, lindja e diellit në mënyrë të qartë dhe pa rreze qorruese. Allahu i Madhëruar thotë për këtë natë: “Paqe është ajo deri në lindjen e agimit.” (Kadër: 5)
Adhurimi në këtë natë
Siç u përmend edhe më lart, në këtë natë pëlqehet adhurimi, si për shembull namazi, dhikri, leximi i Kur’anit, sadakaja etj. Profeti ﷺ ka thënë: “Kush falet në Natën e Kadrit me besim tek Allahu dhe duke pritur shpërblimin prej Tij, atij i falen gjynahet e bëra.” [13]
Aishja një ditë ka pyetur Profetin ﷺ: “O i Dërguari i Allahut, ç’të them në Natën e Kadrit po e rastisa?” Ai u përgjigj: “Thuaj: “Allahumme inneke afuun tuhibul afue fa’fu anni.” Që do të thotë: “O Allah, Ti je falës dhe e do faljen, më fal mua!” [14]
-Itikafi
Itikaf nga ana gjuhësore do të thotë të qëndrosh mbyllur në një vend, ndërsa në gjuhën e sheriatit Islam do të thotë të qëndrosh për një kohë të caktuar brenda në xhami duke bërë adhurime. Imam Ibn Kajjimi thotë: “Qëllimi i itikafit është të lidhësh zemrën me Allahun, duke u vetmuar me Të me adhurime, si dhe duke i ndërprerë lidhjet me krijesat. [15]
Koha e itikafit nuk është e përcaktuar, mund të qëndrohet për një kohë të shkurtër ose të gjatë, sipas nijetit. Prej sunetit (traditës profetike) është të qëndrohet në itikaf 10 ditët e fundit të Ramazani bashkë me netët e tyre, sepse në to gjendet nata e kadrit. Profeti ﷺ ka hyrë në itikaf në xhaminë e tij çdo Ramazan 10 ditët e fundit, ndërsa në vitin në të cilin ka ndërruar jetë ka hyrë në itikaf 20 ditët e fundit. [16]
Itikafi mund të bëhet në çdo xhami në të cilën falet xhumaja dhe pesë namazet e ditës me xhemat. Gjatë itikafit nuk mund të dilet nga xhamia, vetëm nëse është e nevojshme. Gjatë itikafit besimtari duhet të bëjë sa më shumë adhurime, të falë namaze vullnetare, të këndojë Kur’an, të përmendë Allahun sa më shumë, të kërkojë falje për gjynahet dhe t’i drejtohet Atij me lutje të ndryshme.
Itikafi lejohet të bëhet edhe nga gratë. Çdo grua që dëshiron të qëndrojë në itikaf brenda në xhami është e lirë ta bëjë këtë. Aishja r.a ka thënë: “Profeti ﷺ ka qëndruar në itikaf për çdo Ramazan në 10 ditshin e fundit, derisa ndërroi jetë, pas vdekjes së tij kanë qëndruar gratë e tij në itikaf.” [17]
Çdo musliman që futet në itikaf i lejohet të hajë, të pijë dhe të flejë në xhami gjatë kohës së itikafit, por duhet të ketë kujdes të ruajë pastërtinë, rregullin dhe respektin e xhamisë si vend adhurimi. Duhet të kemi parasysh edhe diçka tepër të rëndësishme, nuk lejohet që burri ose gruaja të qëndrojë në itikaf dhe të lërë
mënjanë detyrimet dhe përkujdesjen ndaj familjes, sepse itikafi është sunet, ndërsa kujdesja për familjen është vaxhib (detyrë). Nëse mund të bëhet edhe vaxhibi edhe suneti, atëherë ajo është mirësi e madhe.
-Agjërimi i gjashtë ditëve nga Shevali
Nga punët e pëlqyera pas këtij muaji të begatë është përcjellja e tij me gjashtë ditë agjërim në muajin pasardhës. Kjo mund të kryhet menjëherë pas muajit ditës së Bajramit ose në gjashtë ditë të ndara. Profeti ﷺ ka thënë: “Kush agjëron muajin e Ramazanit dhe e përcjell më pas atë me gjashtë ditë nga muaji Sheual, është sikur ka agjëruar gjithë kohën.” [18]
Këto ishin disa nga rregullat kryesore të agjërimit të Ramazanit.
Mos harroni se shembulli i këtij muaji është si shembulli i një tregu të hapur, produktet e të cilit shpërndahen falas dhe secilit i jepet mundësia të marrë në të sa të ketë mundësi. Shokët e Profetit e lusnin Allahun gjashtë muaj para se të vinte ky muaj i begatë që ta arrinin atë dhe gjashtë muaj pas tij që t’i pranoheshin punët e tyre.
Lusim Allahun e Lartësuar që të na e lehtësojë agjërimin e këtij muaji dhe të na pranojë adhurimet në të!
Përgatitën: Mustafa Tërniqi dhe Ervin Qylafku
———————————–
[1] Ahmedi & Nesaiu
[2] Buhariu & Muslimi
[3] Buhariu & Muslimi
[4] Ahmedi & Ebu Davudi
[5] Buhariu & Ebu Davudi
[6] Ebu Davudi & Tirmidhiu
[7] Buhariu & Muslimi
[8] Nesaiu & Ibën Huzejme
[9] Ahmedi dhe Ebu Davudi
[10] Ahmedi
[11] Ahmedi
[12] Muslimi
[13] Buhariu
[14] Ahmedi
[15] “Zadul Mead”
[16] Buhariu
[17] Buhariu & Muslimi
[18] Muslimi