Agjërimi i ditës së Ashuras

Dita e Ashurasë, apo siç njihet e Ashures, është dita e dhjetë e muajit Muharrem. Ky emërtim vjen nga fjala arabe (ashera) që do të thotë: dhjetë. Agjërimi i kësaj dite është shumë i pëlqyeshëm. I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Shpresoj që me agjërimin e ditës së Ashurasë Allahu të shlyejë gjunahet e vitit të kaluar” [Muslimi]. Dijetarët kanë sqaruar se ky agjërim fshin gjunahet e vogla, sepse gjunahet e mëdha kanë nevojë për pendim.

Si bëhet ky agjërim?
✨ I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) kur emigroi në Medine pa që jehudët e agjëronin këtë ditë dhe pyeti: “Çfarë është kjo?” I thanë: “Kjo është ditë e mirë. Është dita në të cilën Allahu i shpëtoi benu israilët prej armikut të tyre, ndaj e agjëroi Musai”. Tha: “Unë jam më parësor se ju që të gëzoj për Musain” [Buhariu]. Po kështu ka thënë: “Vitin tjetër – inshaAllah – do ta agjërojmë dhe ditën e nëntë” [Muslimi].

🔸 Për këtë arsye është e pëlqyer që të agjërohet dita e nëntë dhe e dhjetë, si kundërshtim i traditës së jehudëve. Dhe kjo është më e mira.
🔸 Nëse nuk e agjëron ditën e nëntë, mund të agjërojë ditën e njëmbëdhjetë bashkë me të dhjetën e në këtë mënyrë arrihet qëllimi i larpërmendur.
🔸 Lejohet agjërimi vetëm i ditës së dhjetë që është dita e Ashurasë, sepse Profeti (salallahu alejhi ue selem) e ka agjëruar këtë ditë të vetme.
💫 Ibnu Rexhebi (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: 🚫 “Ndërsa kthimi i kësaj dite në ditë zie, sikurse veprojnë rafidat (shiat), për shkak të vrasjes së Husejnit djalit të Aliut (Allahu qoftë i kënaqur me ta) është vepër e atyre që përpjekjet i kanë humbur në jetën e kësaj bote, ndërkohë që mendojnë se veprojnë mirë. As Allahu dhe as i Dërguari i Tij nuk kanë urdhëruar që ditët e fatkeqësive apo të vdekjes së Profetëve t’i kthejnë në ditë zie, e aq më tepër për ata që janë më poshtë se ta në gradë” [Lataiful mearif fq 54].

 

Përgatiti: Stafi drejtues: dobi fikh