Pyetja:
Jam një student që studioj inxhinieri gjeologjike dhe kam një lëndë që quhet makropaleontologji. Kjo lëndë studion fosilet dhe tregon se toka është krijuar para miliarda vjetësh, duke e ndarë në epoka të ndryshme si p.sh. bashkimi i kontinenteve, ndryshimet e planetit tokë etj. Në pjesë të ndryshme lidhet me evolucionin. Do të doja të dija gjykimin islam të kësaj lënde, pasi nuk kam informacion të vazhdueshëm? Kjo lëndë është paraardhëse e lëndës që studiohet më vonë që ka lidhje edhe me evolucionin, me dinozaurët etj.
***
Përgjigjja:
Së pari duhet thënë se Islami është fe e dijes, dhe nxit në kërkimin e mësimin e saj. Allahu e urdhëron Profetin ﷺ, dhe nëpërmjet tij të gjithë muslimanët, të rrisin nivelin e dijes duke thënë: “Dhe thuaj: o Zoti im më shto dijen!” (Ta Ha: 124)
Dija në vështrimin islam nuk lidhet vetëm me atë që ka të bëjë me njohjen e Zotit dhe të fesë, por çdo dije të dobishme për njeriun në jetë. Këtu futen edhe dijet që studiojnë natyrën nëpërmjet fakteve, me anë të të cilave njeriu njihet me krijimin e Zotit dhe shenjat që provojnë madhështinë dhe njëshmërinë e Tij.
Së dyti, duhet të dimë se çdo dije që bazohet mbi fakte e prova ka edhe anën e saj teorike, pra rezymenë e përfundimeve që induktohet nga shumësia e fakteve. Si të tilla, përfundimet teorike janë interpretime njerëzore që u japin një vijë logjike shpjeguese gjërave, dhe janë të ndryshme e të ndikuara shpesh edhe nga ideologjitë apo doktrinat që njerëzit mbartin. Kështu që duhet bërë një ndarje e qartë në mes faktit ose provës dhe asaj se çfarë provon ky fakt? A mbështet ky fakt teorinë apo ka edhe mundësi të tjera interpretimi?
Së treti, paleontologjia është në vetvete një disiplinë që ngrihet mbi fakte dhe prova materiale, ndërsa interpretimi i gjetjeve të saj është pjesë e teorive njerëzore, të cilat mund të jenë të sakta ose jo, ose edhe pjesërisht të sakta e pjesërisht të gabuara. Ndërsa teoria e evolucionit që tenton të mbështetet në të nuk është një fakt shkencor apo aksiomë e pakundërshtueshme e ngjashme si p.sh. me disa ligje të njohura të fizikës, përndryshe nuk do të vazhdonte të mbetej teori, ajo është një interpretim njerëzor dhe nuk është i vetmi me të cilin mund të interpretohen gjetjet fosile apo jeta e gjallë.
Kështu që nisur nga ky këndvështrim, studimi i kësaj disipline nuk përbën problem në vështrimin islam, nëse bëhet një dallim i qartë mes asaj që ne besojmë se Zoti është krijuesi i çdo gjëje, dhe interpretimeve të gabuara njerëzore.
Ne kemi bindjen se studimi i thellë i natyrës mes tyre edhe i kësaj dege, duke e zhveshur atë nga interpretimet ideologjike, spekulative, subjektive me bazë ateiste, e bën njeriun të reflektojë dhe të shohë argumentet e Zotit kudo. Allahu në Kuran thotë: “Ne do t’u tregojmë atyre shenjat Tona në hapësirat tokësore e qiellore, si dhe në vetvete, derisa t’u bëhet plotësisht e qartë se ai (Kurani) është e vërteta. Vallë, a nuk të mjafton ty që, Zoti yt është Dëshmues i çdo gjëje?!” (Fussilet: 53)
Këto dije edhe pse kanë lindur si nevojë për të njohur botën që na rrethon dhe origjinën e saj dhe nganjëherë për të provuar ideologji ateiste, ato duhen studiuar thellë pikërisht edhe për të provuar se të tilla disiplina mund të provojnë të kundërtën e asaj për të cilën keqpërdoren nga një pjesë e studiuesve të saj.
Komisioni Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH