Pyetja:

Kur niset një ibadet siç është namazi apo tjetër pos tij; a duhet ta themi gojarisht (nijetin) si, për shembull, që personi të thotë: “Po e bëj nijet të falem”, “Po e bëj nijet të agjëroj”?

***

Përgjigjja:

Lavdi i takon Allahut. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi Pejgamberin ﷺ.

Nijeti për pastrim me abdes, gusël apo tejemum, për namaz e agjërim, për zekat dhe kefaret dhe gjëra të këtilla nga ibadeti, nuk thuhet gojarisht (me gjuhë) sipas pajtimi të dijetarëve islamikë; sipas pajtimit unanim të tyre, vendi i nijetit është zemra. Nëse personi gabimisht e thotë atë që e kundërshton zemra e tij, atëherë llogaritet ajo që është në zemër, jo ajo çfarë thotë ai. Kurrkush s’ka përmendur mospajtim rreth kësaj, përveç që disa  Shafij të vonë e miratuan këtë, kurse e kundërshtuan disa imamë të tyre. Në mospajtimet mes dijetarëve se a është e pëlqyeshme që nijeti të thuhet gojarisht ka dy pikëpamje: Disa nga Hanefitë, Shafitë dhe Hanbelitë thanë se është e pëlqyeshme të thuhet nijeti gojarisht, në mënyrë që kjo të jetë me e fortë (më e sigurt). Dhe një grup nga Malikitë, Hanbelitë dhe të tjerë veç tyre thanë se të thënët gojarisht e nijetit s’është e pëlqyeshme, sepse kjo është bidat, meqë kjo s’është përcjellë nga i Dërguari i Allahut ﷺ e as nga Sahabët e tij, dhe pejgamberi nuk e ka urdhëruar askënd nga umeti i tij që ta thoshte nijetin dhe nuk dihet që kjo të jetë bërë nga ndonjë prej muslimanëve. Sikur kjo të ishte ligjësuar, nuk do ta shpërfillte Pejgamberi ﷺ dhe Sahabët e tij, meqë umeti punon (adhuron) me këtë dite e natë. Dhe ky është qëndrimi i saktë. Të thënët e nijetit është i gabuar logjikisht dhe fetarisht. Sa i përket aspektit fetar, kjo është një bidat, kurse, sipas logjikës, kjo është si shembulli i atij që dëshiron të hajë ushqim dhe thotë: “Po e bëj nijet që ta vendosi dorën në këtë enë e të marr një kafshatë, ta fus në gojë, ta përtypi e ta përpij, dhe të ha derisa të ngopem”. Kjo do të ishte idiotësi dhe injorancë. Kështu, nijeti e ndjek dijen. Kur robi e di se çfarë bën, atëherë ai medoemos ka bërë dhe nijetin. Nuk mund të përfytyrohet që personi të dijë për atë që do të bëjë e të mos ketë bërë nijetin. Dijetarët janë pajtuar se nuk është ligjësuar të thënët e nijetit dhe përsëritja e tij. Atë që e ka bërë shprehi këtë, duhet edukuar në mënyrë që të pengohet nga adhurimi me bidat dhe që të mos i shqetësojë njerëzit me ngritjen e zërit të tij. Allahu e di më së miri.

Shejhul-Islam ibn Tejmije, “Fetawa el-Kubra” 1/214, 215