Pyetja:

A duhet që një muslimani, i cili ka pranuar Islamin së voni, t’i mësohen përnjëherë krejt rregullat e Islamit, apo gradualisht? A duhet të fillojë ai me besimet themelore, apo me rregullat themelore së bashku me detyrat dhe ndalimet?

***

Përgjigjja:

Përgjigja në këtë pyetje është të shihet çka ka bërë pejgamberi ﷺ kur dërgonte thirrësit për t’i thirrur njerëzit në Islam. Ai ﷺ dërgonte thirrës për t’i thirrur njerëzit në Islam dhe i mësonte ata që të fillonin me teuhid apo me njësinë e Allahut, pastaj me namaz, pastaj me zekat, pastaj me agjërim, pastaj me haxh, kur vinte koha për të. Ai e dërgoi Muadhin në Jemen dhe i tha t’i thërriste së pari në teuhid, në njësinë e Allahut. Nëse ata do t’i përgjigjeshin, do t’i thërriste për të falur namazin. Nëse ata do t’i përgjigjeshin, do t’i thërriste të japin zekatin. Ai nuk e përmendi agjërimin dhe haxhin, sepse, kur e dërgoi Muadhin, nuk ishte koha për këto adhurime, dhe e kishte dërguar atë në muajin rebi el-euel të vitit 10H. Pra, hala kishte kohë për të bërë haxhin dhe agjërimin.

Pejgamberi ﷺ në urtësinë e tij nuk deshi t’u turrej me krejt rregullat përnjëhershëm atyre që po thirreshin të besonin. Kjo është pjesë e urtësisë e përmendur në ajetin: “Thirr (njerëzimin) për në rrugën e Zotit tënd me urtësi. (Nahl: 125)

Por, a duhet që personi të fillojë me personin që ka hyrë në Islam me rregullat e
çështjeve më të vogla si lëshimi i mjekrrës, apo rregullat e tjera më dytësore?

Kjo duhet të bazohet në atë që u përmend më sipër, se udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit ﷺ. Kështu, ai, së pari, duhet të fillojë me bazat e Islamit, derisa Islami të zërë vend në zemrën e tij dhe të qetësohet në besimin e tij të ri. Në atë pikë, ne mund t’ia mësojmë atij çështjet tjera, duke filluar me më të rëndësishmet, pastaj me të tjerat sipas radhës. Kjo është mënyra e Allahut sa i përket vendimeve sheriatike dhe ligjeve të natyrës. Shih sesi fetusi nis të zhvillohet pak nga pak, dhe katër stinët sesi ndërrohen dalëngadalë, dhe sesi dielli lind e perëndon etj. Sikur të mësonim krejt vendimet përnjëherë, kjo do të merrte shumë kohë dhe kjo do të mund ta largonte personin nga Islami.

Shejh ibn Uthejmin, “El-Ixhabet ala Es’ilet el-Xhalijaat” 1/27-30