Pyetja:
Disa nga ata të cilët i konsiderojmë të jenë të përpiktë në zbatimin e fesë i trajtojnë njerëzit me ashpërsi dhe janë të akullt ndaj tyre, dhe disa nga ta vazhdimisht janë të vrenjtur (shfryjnë me gojë nga pakënaqësia). Çfarë i këshilloni ata?
Përgjigja:
Syneti i pastër, syneti i Pejgamberit ﷺ provon që është detyrim (uaxhib) për myslimanin që të thërrasë për tek Allahu me urtësi, butësi dhe lehtësi. Allahu i Lartësuar i ka thënë të Dërguarit të vet, Muhamedit ﷺ: “Thirr (njerëzimin, o Muhamed) për në rrugën e zotit tënd (dmth Islam) me urtësi (dmth me frymëzimin hyjnor dhe me Kuran) dhe predikim të çelët, dhe argumento me ta në mënyrën më të mirë.” (Nahl: 125)
Ai, i Lartësuari, po ashtu i ka thënë atij ﷺ: “Me mëshirën e Allahut u solle me ta butësisht. Po të kishe qenë i ashpër dhe zemërgur, ata do të ndaheshin nga ti. Kështu që fal dhe kërkoji Allahut që t’i falë ata.” (Al Imran: 159)
Allahu i Lartësuar tha kur dërgoi Musain dhe Harunin te Faraoni: “Foli butë, se ndoshta do ta pranojë këshillën apo do t’i frikësohet Allahut.” (Ta Ha: 44)
I Dërguari i Allahut ﷺ përcolli që: “Vërtet, Allahu jep nëpërmjet butësisë çfarë nuk jep nëpërmjet ashpërsisë/forcës…”
Ai ﷺ u thoshte kumtarëve të vet kur i dërgonte (për të bërë da’ue): “Bëjini gjërat të lehta e mos i bëni të vështira; përgëzoni e mos i zmbrapsni njerëzit (nga ju)”.
Ai ﷺ po ashtu ka thënë: “Vërtet, ju (muslimanët) jeni dërguar vetëm për t’i lehtësuar gjërat, jo për t’i bërë të vështira ato”.
I këtillë duhet të jetë thirrësi për te Allahu: i butë, gjithnjë i buzëqeshur dhe zemërçelur, me qëllim që thirrja e tij të pranohet lehtë nga ata të cilët po i thërret. Po ashtu është e domosdoshme që thirrja e tij të jetë për te Allahu, jo për te vetja e tij. Njeriu s’bën të përpiqet të dalë fitimtar apo të hakmerret ndaj atij që kundërshton Rrugën e drejtë. Sepse, nëse ai thërret ndonjë vetëm për te Allahu, me anë të kësaj ai bëhet i sinqertë dhe Allahu do ta bëjë çështjen të lehtë për të, si dhe do ta udhëzojë nëpërmjet tij këdo që Ai do nga robërit e vet. Mirëpo, nëse ai thërret për te vetja e tij, si kur do që të jetë fitues, apo konsideron që filani a filani është një armik i tij dhe ai dëshiron të marrë hak, atëherë, vërtet thirrja në këtë rast do të jetë e mangët dhe bekimi i saj mund të hiqet.
Kështu, këshilloj vëllezërit e mi thirrës që t’i ndjejnë këto ndjenja, do të thotë që ata ta thërrasin krijimin si një mëshirë ndaj krijimit, ndërsa madhërojnë fenë e Allahut dhe duke i dhënë fitore asaj.
Përktheu: Zejd Haziri