Pyetja:

Kur duhet të bëhet dhikri i namazit (të bëhen tespitë)? A duhet të bëhet pas farzit, apo krejt në fund, p.sh. në namazin e jacisë të bëhet pas vitrit?

***

Përgjigjja:

Dhikri duhet të bëhet menjëherë pas faljes së farzit. Kjo është koha dhe momenti më i pëlqyer, dhe praktika të cilën e ka vepruar Pejgamberi ﷺ.

Transmeton Thu’bani, Allahu qoftë i kënaqur me të, ku tregon se Pejgamberi ﷺ, sa herë që e përfundonte namazin (farzin) thoshte: Estagfirullah (tri herë), pastaj shtonte: Allahumme ente Selam, ve minke selam, tebarekte ja Dhel Xhelali vel Ikram. [1]

Transmeton Ka’b ibn Uxhrete se Pejgamberi ﷺ pas çdo namazi farz thoshte: 33 herë Subhanallah, 33 herë Elhamdulilah dhe 34 herë Allahu Ekber. [2]

Ndërsa shejh Albani ka thënë: Të gjitha fjalët e dhikrit Pejgamberi ﷺ, i thoshte menjëherë pas selamit kur ndahej nga farzi, individualisht dhe jo me grup, pastaj nëse kishte sunet pas farzit, ngritej dhe e falte.

Në shoqërinë tonë shohim se dhikri bëhet krejt në fund të namazit dhe me xhemat, porse këtë praktikë nuk e gjejmë te Pejgamberi ﷺ, e as te gjeneratat e hershme (es-selefu salih).

Kjo praktikë ka filluar të veprohet pas vdekjes së Pejgamberit ﷺ, ku Abdullah Ibn Mes’udi ka treguar se në xhaminë e Pejgamberit ﷺ, ishin tubuar njerëz në grupe, ndërsa një person theksonte diçka nga dhikri e të tjerët e përsërisnin pas tij. Me të parë këtë, ai iu drejtua atyre: “Ende rrobat e Pejgamberit ﷺ, janë tek ne, ndërsa ju vetëm se ju keni futur risive në fe!” Vazhdon të tregojë Abdullah Ibn Mes’udi: “Nga të gjithë ata që ishin bërë tubuar dhe vepronin në atë mënyrë, s’ka mbetur një prej tyre, vetëm se iu kanë bashkangjitur havarixhëve më pastaj”.

———————————–

[1] Muslimi

[2] Muslimi