Pyetja:

Nëse një jobesimtar të përshëndetë me selam, si duhet t’ia kthej unë atij?

***

Përgjigja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!

Islami është fe që i thërret njerëzit në vepra të mira dhe u ndalon të këqijat; u kërkon atyre që të jenë të mirë me të gjithë njerëzit dhe të bashkëpunojnë me ta me mirësi, pavarësisht dallimit. Allahu i Madhërishëm në Kuranin fisnik ka thënë:

“…do t’u thoni fjalë të mira njerëzve, do të falni namazin e do të jepni zekatin.” (Bekare: 83)

Pra, ky ajet shumë qartë përmend njerëzit në përgjithësi dhe nuk kufizon mirësjelljen vetëm me besimtarët.

E mirësjellje konsiderohet edhe përshëndetja e komunikimi me të tjerët, qofshin ata besimtarë apo jobesimtarë.

Nga ky parim themi se nëse ndodh që ndonjë jobesimtar të na përshëndetë me selam, pra me shprehjen e njohur ‘Esselamu alejkum‘, dhe e dëgjojmë qartë këtë shprehje, atëherë edhe ne ia kthejmë njejtë ‘Alejkum selam’. Madje disa dijetarë kanë thënë se nëse ia shtojmë, ashtu si është e njohur, edhe lutjen: ‘Ve Rahmetullahi ve Berekatuh’-‘Rahmeti i Allahut dhe Bereqeti i Tij’, në kontekstin e lutjes së udhëzimit për ata, atëherë lejohet. Kjo për faktin se Allahu i Madhërishëm në lidhje me kthimin e përshëndetjes ka thënë:

Kur ju përshëndet dikush me respekt, kthejani me një përshëndetje më të mirë ose në të njëjtën mënyrë! Pa dyshim, Allahu llogarit çdo gjë.” (Nisa: 86)

Ndërsa në një rast nga i Dërguari, ﷺ, se një grup i pasuesve të Librit (hebrenjëve), e kishin përshëndetur atë duke ndryshuar fjalën ‘Esselamu alejkum’ , që ka kuptimin: ‘Paqja dhe shpëtimit qofshin mi ty’, në ‘Essamu alejkum’, që ka kuptimin: ‘Vdekja qoftë mbi ty’, me qëllim të përqeshjes e ofendimit. Pra, në vend se të thonin ‘Esselamu’ ata thanë ‘Essamu’. Atëherë i Dërguari, ﷺ, ua ktheu atyre, duke mos përmendur selamin, por vetëm me shprehjen: ‘Ve alejkum’ , që nënkupton se ajo që kërkuat e shpresuat, për mua qoftë mbi ju. [1] Ishte formë e përgjigjes duke mos rënë në nivelin e tyre të sjelljes.

Andaj, nëse ndodh edhe neve që të na përshëndesë dikush nga jobesimtarët, duke përdorur shprehje jo të qartë, ose që kanë kuptim jo të mirë, atëherë edhe ne përgjigjemi në të njejtën formë si ka vepruar i Dërguari, ﷺ.

E sa për të qenë korrekt në lidhje me selamin ndaj jobesimtarëve, ekziston edhe një hadith që kërkon sqarim. Më konkretisht, ka të bëjë me çështjen se a lejohet që ne të fillojmë përshëndetjen me selam ndaj jobesimtarëve.

I Dërguari i Allahut, ﷺ, ka thënë: “Mos e filloni përshëndetjen ndaj hebrenjëve dhe krishterëve me selam..” [2]

Shumë dijetarë, duke u nisur nga kuptimi i këtij hadithi, kanë theksuar se nuk lejohet që besimtari ta përshëndesë jobesimtarin me selam. Kjo, gjithashtu edhe për faktin se selami në vetvete është adhurim dhe formë lutjeje e ndërsjellë mes besimtarëve. Ndërsa përshëndetja me shprehje tjera, përveç selamit, lejohet dhe në këtë nuk ka gjë.

Në anën tjetër ka një numër të dijetarëve të cilët lejojnë fillimin e përshëndetjes me selam, sikurse Ibën Abbasi, Ebu Umame, Ibrahim Nehaiu, Alkame, kurse Imam Evzaiu thekson se nëse i përshëndetë me selam, atëherë këtë e kanë praktikuar disa njerëz të mirë (është fjala për dijetarë) dhe nëse nuk i përshëndet, atëherë edhe këtë e kanë vepruar disa njerëz të mirë.

Sidoqoftë, pa u zgjeruar them se nëse jobesimtarët janë nga kategoria që jemi armiq me ta, në kohë lufte dhe nuk mbajmë kontakte me ta, atëherë e sakta është që nuk i përshëndesim me selam. Në anën tjetër nëse jobesimtarët janë njerëz me të cilët bashkëjetojmë dhe kemi raporte të natyrave të ndryshme sikurse fqinj, kolegë në punë apo mësime, kemi marrëdhënie shitblerjeje apo të ngjashme, atëherë e sakta është që edhe nëse i përshëndesim me selam nuk kemi bërë gabim.

Ndërsa hadithi i i lartëpërmendur, të cilin e shënon Muslimi, në bazë të analizës së transmetimeve që kanë ardhur edhe në koleksionet tjera të haditheve, disa dijetarë e studiues të haditheve, theksojnë se kjo ndalesë kishte të bënte me një rrethanë në të cilën i Dërguari i Allahut, ﷺ, kishte marrëveshje me hebrenjtë e Beni Kurejdhas, që banonin afër Medinës. Ata e shkelën marrëveshjen dhe i Dërguari, ﷺ, para se të niset tek ata, u thotë shoqëruesve të tij që të mos i përshëndesin me selam, kur të arrijnë atje, pasi ky akt mund të nënkuptohet nga ata se është një lloj i dhënies së besës a premtimit, pasi ata kanë thyer marrëveshjen. Zoti e di më së miri!

Alaudin Abazi

————————-

[1] Buhariu

[2] Muslimi