Pyetja:

Unë jam 19 vjeç dhe jetoj në St. Gallen dhe ajo femër 20 vjeçe. E kam njohur dhe jeton në St. Gallen. Atëherë kam qenë shumë larg fesë, nuk dija asgjë prej fesë time të bukur. Jam njohur me atë femër por nuk kam pasur kontakt shumë. Pas gjysmë viti ajo më tregoi se u bë muslimane dhe dashuria ime u shtua aq shumë, saqë pata dëshirë dhe kam që të martohem me të inshallah sepse ajo e bën jetën sipas Islamit. Familja e saj e dinë tani se është bërë muslimane dhe se ka kontakt me mua. Në fillim atyre u vinte zor, por me kalimin e kohës elhamdulilah e pranuan. Ajo tani e mban fenë e Allahut më së miri, por familja ime, prindërit e mi, nuk po e kuptojnë këtë gjë. Mendojnë se ende është katolike etj., por nuk e kanë njohur hiç. Si të vazhdoj, më ndihmoni!

Unë kam folur me disa hoxhallarë dhe më thoshin se nëse je i sigurt që e kalon jetën mirë, ke mundësi dhe më së miri e di vetë ti. Por nëse ka probleme me fenë prej asaj femre, nuk është e lejuar të martohesh me të. Por familja ime që ka qenë larg fesë, por tani prej kësaj femre që jam forcuar, e kam ndihmuar familjen time se çfarë është feja islame. Jam munduar që të bisedoj me prindërit e mi për këtë temë, por ata menjëherë u zemëruan dhe më thoshin prej frikës se nuk e çoj kurrë mirë me askënd etj., dhe nuk ka mundësi që të martohem me atë femër. Jam duke e lutur Allahu që të më ndihmojë, të më forcojë imanin dhe dijen. A ka mundësi të më jepni disa përgjigje për këtë temë? Unë kismet kam qejf të martohem me këtë femër, por duhet të kem sabër.

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed ﷺ, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Vëlla i nderuar, ju përshëndesim me përshëndetjen islame “eselam alejkum” dhe ju urojmë që të gjeni në jetë më të mirën për këtë botë dhe botën tjetër. Në lidhje me letrën tuaj, do të sqarojmë dy gjëra:
– Çështja e kontaktit miqësor ose shoqërimit me femra të huaja.

– Ndërsa në lidhje me dëshirën tënde që të martohesh me atë vajzë, themi se ju duhet të vazhdoni të bisedoni me familjen tuaj dhe ndoshta deri diku është e arsyeshme kundërshtimi i tyre, pasi ju jeni ende i ri, pastaj edhe prejardhja e asaj vajze mund të jetë pengesë që ata të hezitojnë në atë që ju dëshironi të veproni.

Sido që të jetë, ju këshillojmë që nëse keni parë tek ajo vajzë hyrje të sinqertë në Islam, ka cilësi të mira dhe është e përkushtuar ndaj fesë, pra interesohet dhe mundohet të mësojë, e kryen faljen e namazit, atëherë mos e lëshoni këtë rast dhe martohuni me të. Por gjithashtu ju këshillojmë të mos nxitoni në këtë dhe të tentoni të merrni bekimin e familjes.
Allahu e di më së miri!

Alaudin Abazi