Pyetja:

Jam 30 vjeçare, bëj namaz rregullisht, por nuk jam e martuar. Më  tregoni se a ka ndonjë dua apo si të veprojë që Allahu të më ndihmojë?

***

Përgjigjja:

Motër e nderuar, na brengos edhe neve çështja e moskërkimit të dorës suaj për martesë nga njerëz adekuatë, që po ashtu kërkojnë femër që kryen obligimet fetare si namazi, etj. Lus Allahun që ju dhe çdo femër që synon ta ruajë nderin dhe moralin e vet, të martohet dhe të krijojë familje sipas parimeve të Sheriatit, gjithashtu t’ua lehtësojë një gjë të tillë dhe t’ju shpërblejë për nijetin tuaj. Lus Allahun gjithashtu që t’ua shtojë durimin tuaj.

Nuk kemi ndonjë dua të posaçme nga ajetet e Kuranit apo hadithet e të Dërguarit ﷺ, që ka të bëjë drejtpërdrejt me lutjen për martesë. Por, mund të bëhen dua të rëndomta që njeriu i drejtohet Allahut të Madhërishëm, me kusht që ato lutje të mos përmbajnë ndonjë kuptim të ndërmjetësimit. Megjithatë, ju preferojmë të bëni këto dua të përgjithshme nga Kurani dhe suneti:

“Zoti im, mos më lë të vetmuar se Ti je më i miri trashëgues.” (Enbija: 39)

“Zoti ynë, na bën që të jemi të gëzuar me (punën) e bashkëshortëve  dhe pasardhësve tanë, e neve na bën shembull për të devotshmit”. (Furkan: 74)

“O Allah, të lus Ty të më dhurosh udhëzim, devotshmëri, mbrojtje të nderit dhe pasuri.” [1]

Allahu ju ndihmoftë dhe ju bëftë të qëndrueshme në fenë e Tij!

Muhamed Dërmaku

—————————————————————-

[1] Sahih, transmeton Tirmidhiu, Ibën Maxhe dhe Ahmedi.