Pyetja:
A mund të më tregoni për shenjat e Kiametit? Cilat janë ato, si ndahen?
***
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshim mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin ﷺ, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Sa i përket pyetjes tënd rreth shenjave të Kiametit themi se ka shumë çfarë të flitet rreth tyre, por ne do të mundohemi me një pasqyrim të shkurtër rreth tyre të informojmë për disa gjëra të rëndësishme rreth tyre, nëse ju dëshironi të zgjeroheni më shumë, janë dy apo tri libra të shkruara apo të përkthyera rreth tyre, mund t’i kthehesh atyre.
Së pari, duhet të kuptojmë se Muhamedi ﷺ sikurse të gjithë profetët nga Allahu i Lartësuar, u dërguan që t’ua tregojnë njerëzve rrugën e shpëtimit në këtë botë dhe botën tjetër. Të gjithë të dërguarit edhe Muhamedi ﷺ kanë paralajmëruar për gjëra që do të ndodhin në të ardhmen, jo nga vetja e tyre, por nga ajo që u është shpallur atyre.
Nga ato që ka paralajmëruar i Dërguari i Allahut ﷺ janë edhe disa ndodhi që do të ndodhin para Kiametit.
Këto shenja të kiametit mund të klasifikohen në disa aspekte:
Si ato që kanë ndodhur (kanë kaluar) dhe do të ndodhin, pastaj si ato që do ndodhin një herë dhe ato që do të përsëriten, etj.
Mirëpo, ndarja më e qartë dhe e pranuar te dijetarët është ndarja e tyre në parashenja të vogla dhe parashenja të mëdha.
Shenjat e vogla janë të shumta, nga ato mund të veçojmë hadithin, ku Xhibrili i bën disa pyetje Pejgamberit ﷺ rreth Islamit, imanit dhe ihsanit, ndër to edhe rreth parashenjave të Kiametit ku e pyet Xhibrili,paqja qoftë mbi të,: “Më trego mbi shenjat e tij? Pejgamberi ﷺ tha: ‘Kur robëresha t’i lindi vetes zonjushe, kur të shihen barinjtë këmbëzbathur, të zhveshur e të mjerë se si garojnë në ndërtimin e godinave të mëdha.” [1]
Nga shenjat e vogla të Kiametit numërohen: shtimi i pasurisë, përhapja e muzikës, veglave muzikore, konsumimi i alkoolit, ndërprerja e raporteve farefisnore, paraqitja e një kodre të arit nën lumin Eufrat, etj.
Kurse shenjat e mëdha janë dhjetë:
1.2.3. Tri shafitje të tokës.
- Dalja e Dexhallit.
- Zbritja e Isait.
- Dalja e jexhuxhëve dhe mexhuxhëve.
- Tymi i cili do ta mbulojë tokën.
- Dalja e një shtaze nga Toka.
- Lindja e Diellit nga perëndimi.
- Zjarri që i tubon njerëzit.
Pra këto janë parashenjat e mëdha të Kiametit të cilat përmenden në hadithin që e shënon Muslimi nga Hudhejfe ibn Jeman ku thotë: “Erdhi Muhamedi ﷺ te ne, derisa ne po përkujtonim njëri-tjetrin (këshillonim), e na pyeti: “Ç`jeni duke përkujtuar?” Ne thamë: “Po përkujtojmë Kiametin.” Ai tha: “Ai nuk do të ndodh para se të shihni dhjetë shenja.” E i përmendi ato: “Tymi, dexhalli, shtaza, lindja e Diellit nga perëndimi, zbritja e Isait, jexhuxhët dhe mexhuxhët, tri shafitjet, një në lindje një në perëndim dhe një në gadishullin arabik, ndërsa e fundit nga ato: zjarri që del nga Jemeni, i cili i tubon njerëzit në vendtubimin e tyre.”
Për të kuptuar më gjerësisht rreth këtyre shenjave ju porosisim të lexoni librin “Shenjat e Kiametit” nga Osman Abazi. Allahu e di më së miri.
Alaudin Abazi
——————–
[1] Muslimi