Pyetja:
1. A ka ndikim xhini në imanin tim?
Unë falem, falënderoj Zotin, dhe mundohem t’i kryej të gjithat obligimet e mia me përpikëri, por megjithatë unë ndihem shumë keq, shpirti më është ngushtuar, nuk ndiej aspak kënaqësi kur kryej ndonjë adhurim, ndodh qe ndihem mirë për pak çaste, mirëpo ajo zhduket menjëherë.
2. A ka ndikim xhini në zemrën time?
Filloj t’i urrej njerëzit më të dashur për mua, pa pasur ndonjë arsye dhe kjo më pikëllon.
3. Vendi i magjisë!
Pas shumë rukjeve, xhini ka treguar se ku është një vend i magjisë.
Aj vendi është ku thjesht nuk kemi mundësi të shikojmë se a është e vërtetë kjo.
Ç’ka ngel tani për mua dhe familjen time, a kemi mundësi disi ta asgjësojmë atë magji në atë vend?
4. A ka mundësi të jetë kjo e vërtetë?
Deri më tani kam qenë tek shumë njerëz për të më bërë rukje, ndër to dhe hoxhallarë eminentë dhe xhini çdo herë kur është pyetur se kush të ka dërguar dhe pse te ka dërguar, qe përgjigjur njëjtë. Asnjëherë nuk ka thënë për një person tjetër.
A ka mundësi të gënjejë xhini në këtë rast, pasi dihet mirë se xhinët gënjejnë? Dhe nëse është mundësia se ka thënë të vërtetën xhini, a e kam të lejuar ta akuzoj atë person, që së paku të tjerët të ruhen prej tij?
***
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed ﷺ, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Lus Allahun e Lartësuar t’ju lirojë nga vështirësitë me të cilat ballafaqoheni dhe t’ju shërojë sa më shpejt.
Të goditurit nga magjia (sihri) është një sëmundje shumë e vështirë dhe e mundimshme për faktin se kemi të bëjmë me një sëmundje e cila vjen me shumë të panjohura dhe të papritura. Në këtë përgjigje nuk kemi mundësi t’ju ndihmojmë shumë, por do t`ju këshillonim që të vazhdoni shërimin te hoxha i cili keni filluar rukjen dhe t`u përmbaheni udhëzimeve të tij. Jam i bindur se hoxhallarët tek të cilët ju keni shkuar kanë më shumë mundësi t’ju ndihmojnë për problemet tuaja dhe t`ju përgjigjen edhe rreth preokupimeve për të cilat bëni pyetje. Kur themi hoxhallarët, e kam fjalën për ata që shërojnë me Kuran dhe lutje pejngamberike të sakta, e assesi për ata pseudohoxhallarë të cilët merren me shkrimin e hajmalive.
Lus Allahun e Lartësuar që ashtu si e bën shiun ta ringjallë tokën, ta bëjë edhe zemrën tënde të ringjallet dhe të forcohet me përkujtimin e Tij dhe Kuranin Famëlartë ta bëjë shërues dhe ilaç për ty. Amin!
Alaudin Abazi