Pyetja:
Cila është dispozita për ndryshimin e emrit të një personi, i cili e pranon Islamin, dhe dëshiron ta ndryshojë emrin e vjetër që ai ka pasur me një emër të ri Islam, dhe a është ky ndryshim i emrit i detyrueshëm për të apo jo?
***
Përgjigjja:
Falënderimi i takon vetëm Allahut dhe paqja e mëshira qofshin mbi Pejgamberin ﷺ.
S’ka argument në Kuran dhe Sunet, i cili aludon për atë se personi që e pranon Islamin detyrohet ta ndryshojë emrin. Mirëpo nëse emri i tij në vetvete përmban ndonjë kuptim, i cili është në kundërshtim me Islamin, atëherë detyrohet ndryshimi i tij. Shembull marrim emrin Abdulmesih (i cili do të thotë rob i Mesihut), dhe shumë emra të tjerë që pas fjalës Abd (Rob) i shtohet si shtojcë, e cila aludon në të qenit rob, por jo i Allahut azze ue xhel, si Abdushems, e Abdulmesih etj., dhe padyshim që këto emra janë në kundërshtim me ligjin e Allahut të Lartësuar, dhe kështu detyrohet ndryshimi i tyre. Ky është grupi i parë, kurse në grupin e dytë bëjnë pjesë emrat, të cilët nuk pëlqehet emërtimi me ato, dhe zëvendësohen me emra më të mirë, sikurse emri Huzën (Pikëllim) zëvendësohet me emrin Sehël (Lehtësi), dhe shumë emra të tjerë. Në grupin e dytë po ashtu bëjnë pjesë edhe emrat që emërtimi i tyre është i njohur dhe i përhapur në mesin e të Krishterëve, dhe dëgjuesi hutohet kur e dëgjon emërtimin e tij dhe dyshon, se personi është musliman apo i krishterë, dhe këto emra është shumë e pëlqyeshme të ndryshohen. Pra, për emrat e grupit të parë bëhet e detyrueshme zëvendësimi me emra të tjerë, kurse emrat e grupit të dytë pëlqehet dhe është mirë të zëvendësohen me emra më të mirë.
AbdulAziz Ibn Baz
Përktheu: Irfan Jahiu