Pyetja:

Nëse ngritem në pjesën e tretë të natës, dhe bëj lutje, a duhet abdes?

***

Përgjigjja:

Së pari, më duhet të rikujtoj se adhurimi që bëhet në pjesën e tretë të natës, është mjaft i lavdëruar dhe i vlefshëm, ngase flet për besimin e thellë dhe përkushtimin e sinqertë të muslimanit. Në këtë kohë, e prish gjumin ngritet dhe bën lutje ai që vërtet është i devotshëm dhe don ta arrijë kënaqësinë e Allahut. Brezat e artë të muslimanëve të cilët i ka lavdëruar i Dërguari i Allahut ﷺ kanë qenë aktiv gjatë natës me adhurim dhe lutje, në veçanti në pjesën e tretë të natës. Ata janë cilësuar si kalorës të ditës dhe adhurues gjatë natës.

I Dërguari i Allahut ﷺ në shumë hadithe ka folur për namazin e natës. Në një hadith, më saktë, kur ka ardhur në Medine kur bëri hixhret nga Mekeja, prej fjalëve të para që i ka thënë, kanë qenë: “Ushqeni tjerët, mbani lidhjet farefisnore dhe faluni natën kur njerëzit flejnë, do të hyni në Xhenet me paqë.“

Poashtu, në një hadith tjetër që është hadith kudsij, i Dërguari i Allahut ﷺ na lajmëron se Allahu i Madhërishëm në pjesën e tretë të natës, Allahu i Madhërishëm thotë: “Ka ndonjë që pendohet, t’ia pranoj pendimin; a ka ndonjë që lutet, t’ia plotësojë lutjen; a ka ndonjë që kërkon falje, t’ia fali.“

Pra, këto momente janë momente të pranimit të lutjes dhe ngritjes së robit përmes adhurimit.

Është për të ardhur që në kohën tonë ky sunet është lënë pas dore nga pjesa më e madhe e muslimanëve, e nga disa tjerë praktikohet vetëm në muajin e Ramazanit, edhe atë në dhjetë netët e fundit të këtij muaji. E lus Allahun e Madhërishëm që të na japë vullnet ta ringjallim këtë sunet madhështor.

Pas kësaj që përmendëm, kalojmë në pyetjen e parashtruar.

Nëse është fjala se për lutjen që bëhet në këtë pjesë të natës, po edhe për lutjen në përgjithësi, a është e domosdoshme të kemi abdes, përgjgjia është se jo, pasi për t’iu lutur Allahut nuk është kusht të keshë abdes.

Mirëpo, më e preferuar është që lutja të bëhet pas punëve të mira, ngase pas punëve të mira lutja ka vlerë të veçantë. Për atë, abdesi është punë e mirë dhe e vlefshme, mjaft e dobishme, dhe do të preferoja që kur të bëjmë lutje të marrim abdes. Në veçanti kur flitet për këtë pjesë të natës, kur njeriu zgjohet prej gjumi, abdesi edhe të freskon dhe bën që të jeshë më i freskët edhe në lutje.

Poashtu, edhe pse lejohet të bësh lutje edhe pa abdes, kur është fjala për pjesën e tretë të natës, atëherë kur adhurimi ka peshë të veçantë, nuk do të preferoja që një besimtar ta prish gjumin dhe mos të merr abdes e mos të falet, por vetëm të bën lutje. Edhe lutja është adhurim, edhe lutja përmban përmendje të Allahut, që poashtu është adhurim, por namazi i natës në këtë kohë është adhurim i preferuar dhe i veçantë. Nisur nga kjo, merr abdes, falu sa të mundesh dhe bën lutje. Kjo është mënyra më e mirë.

Allahu e di më së miri.

Bashkim Aliu