Pyetja:
A ka në Kuranin fisnik fjalë joarabe?
***
Përgjigjja:
Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhamedit ﷺ!
Së pari: Fjalët me prejardhje të huaj të arabizuara konsiderohen fjalë arabisht
Gjuha e Kuranit fisnik është arabishtja e qartë, pra gjuha e folur nga arabët. Ndërkaq, fjalët me origjinë joarabe që gjenden në Kuran, i përkasin kapitullit të shkëmbimit të gjuhëve (që spikatet në arabisht para zbritjes së Kuranit). Këto fjalë me origjinë joarabe, që dikur i përkisnin një gjuhe tjetër, me kohë do arabizoheshin e shndërroheshin në lëndë të gjuhës së arabëve. Ndër gjuhologët arabë, dukuria e arabizimit që ka ngjarë ndër fjalë të arabishtes është e ditur, ku me arabizim nuk nënkuptohet huazimi i fjalëve të huaja (siç është huazuar arabishtja nga gjuhë të tjera), por me arabizim synohet trajtëzimi i fjalës së huaj duke u adoptuar / vendosur në balancën e fjalëve arabe.
Së dyti: Çështja e të folurit / fjalëve të huaja (joarabe) në Kuranin fisnik
Çështja e parë: A ka në Kuran “të folur të huaj / joarab”?
Në mes juristëve muslimanë ka konsensus se në Kuran nuk ka “të folur të huaj / joarab”; me fjalë të tjera në Kuran nuk ka strukturë fjalie apo të foluri që për nga stili ndërtimor dhe kuptimor të jetë joarab.
Çështja e dytë: Në Kuran ka emra të huaj të përveçëm
Po ashtu, dijetarët muslimanë ndajnë të njëjtin mendim lidhur me faktin se në Kuran gjenden emra të përveçëm të huaj, që u përkasin personave që nuk kanë folur në gjuhën arabe (jo arabishtfolës), si emrat: Nuh, Lut, Israil dhe Xhibril.
Çështja e tretë: A ka në Kuran “fjalë të huaja / joarabe” përveç emrave të huaj të përveçëm?
Kurse mbi faktin nëse ka apo jo në Kuran “fjalë të huaja / joarabe” (veç emrave të huaj të përveçëm), juristët muslimanë ndajnë mendimet kryesore në vijim:
Mendimi i parë: Në Kuran nuk ka fjalë të huaja
Shumica e juristëve muslimanë janë të mendimit se gjuha e Kuranit është arabishtja e pastër dhe në të nuk ka fjalë të huaja (joarabe). Ndërsa fjalët e pranishme në Kuran që përcaktohen tek gjuhët e tjera veç arabishtes, kanë si emërues të përbashkët origjinën e tyre shumëgjuhëshe, pra janë fjalë të cilat janë folur nga arabët, persët, abisinasit etj.
Mendimi i dytë: Në Kuran ka fjalë me origjinë të huaj por që janë arabizuar
Një grup dijetarësh muslimanë mbajnë një qëndrim të ndërmjetëm, duke shprehur mendimin se në Kuran ka fjalë të huaja, por prania e tyre interpretohet me faktin se ato janë të përbashkëta për arabët dhe joarabët, pra këto fjalë janë në origjinë të huaja por janë arabizuar dhe përcaktohen tek arabët nën konsideratën se këta të fundit i përdorën dhe arabizuan ato.
Allahu e di më mirë.
Bashkim Aliu