Pyetja:

A mund të na shpjegoni interpretimin e thënieve kuranore në të cilat Allahu i Lartësuar shprehet për Veten e Tij në vetën e parë të numrit shumës, pra me përemrin vetor “Ne”?

***

Përgjigjja:

Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut!

Së pari: Përemri vetor hyjnor “Ne” shpreh vlerësim dhe madhërim

Prej metodologjisë së arabishtes (por edhe shqipes dhe shumë gjuhëve të tjera) është që në raste të veçanta, edhe pse i flasim një personi të vetëm, në formë mirësjelljeje, vlerësimi apo madhërimi, atij i drejtohemi me përemrin vetor shumës “ju” apo derivatet (prejardhjet) e tij gjuhësore.

Së dyti: Përemri vetor hyjnor “Ne” i referohet dhe kthehet prerazi njëjësit

Kjo duket qartë sidomos në rastet e thënieve të shumta kuranore ku përemri vetor hyjnor këmbehet brenda të njëjtit kontekst mes shumësit e njëjësit dhe i referohet prerazi këtij të fundit, fakt ky që tregon se si përemri vetor hyjnor i trajtës së shumësit edhe ai i njëjësit përcaktohen dhe kthehen tek Allahu i Madhëruar. Të këtij konteksti janë p. sh. fjalët e Allahut të Madhëruar në vijim:

Ne nuk kemi dërguar asnjë të dërguar para teje, që të mos i kemi shpallur se: “S’ka të adhuruar tjetër (me meritë) përveç Meje, andaj më adhuroni (vetëm) Mua!” (Enbija: 25) ku përemri “Ne” në kumtimin hyjnor “Ne nuk kemi dërguar”, i takon prerazi vetëm Allahut, bazuar kjo në fjalinë interpretuese “S’ka të adhuruar tjetër (me meritë) përveç Meje, andaj më adhuroni (vetëm) Mua!”, ku vërehet lehtësisht sesi i Lartmadhëruari nuk thotë “S’ka zot tjetër përveç Nesh”.

Së treti: Përemri vetor hyjnor “Ne” shpreh titujt apo emrat e shumtë të lavdëruar

Tjetër formë e përdorimit të shumësit madhërues duke u shprehur me “ne”, është kur një person bën fjalë për titujt apo emrat e tij të shumtë të lavdëruar, ku çdo emër qëndron në rangun e të emërtuarit me të. Në këtë kontekst themi gjithashtu, se kur Allahu i Madhëruar, të Cilit i takon shembulli më i lartë, përdor trajtën madhëruese “Ne” të të shprehurit, Ai bën fjalë për emrat e Tij të përsosur hyjnorë. Kjo shprehet qartë në kontekstet kuranore në vijim:

Vallë, a mos u lodhëm Ne gjatë krijimit të parë? Jo, por ata dyshojnë në krijimin e sërishëm”. (Kaf: 15) në këtë thënie kuranore vërtetohet se kemi të bëjmë me një krijim të parë dhe vërejmë gjithashtu se Allahu i Madhëruar për këtë periudhë para krijimit të parë ka përdorur për Veten e Tij përemrin shumës “Ne”, edhe pse dihet se kur Allahu solli në ekzistencë krijimin e parë, nuk ekzistonte me të askush veç emrave të Tij të përsosur hyjnorë; së këtejmi kuptohet se përemri shumës “Ne” i ardhur në këtë thënie kuranore, i referohet pikërisht emrave të shumtë të bukur të Allahut të Madhëruar.

– Për ta përmbledhur, themi se të gjitha trajtat e shumësit me të cilat shprehet Allahu lidhur me Veten e Tij hyjnore, i referohen meritës së Tij për madhështi absolute, emrave e cilësive të Tij të shumta dhe po kështu ndihmësve dhe engjëjve të shumtë që i përkasin ushtrive të Zotit që të bindshëm i shërbejnë Urdhrit të Tij.

Allahu e di më mirë.

Bashkim Aliu