Pyetja:

A mund të jepni disa njohuri kryesore në lidhje me formën e gargaras (madmadas / shpërlarjes së gojës) dhe ujëthithjes me hundë (istinshakut / thithje-shfryrjes së ujit me hundë) që duhet kryer kur merret abdes ose gusël?

***

Përgjigjja:

Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhamedin ﷺ!

Në lidhje me pyetjen e parashtruar, juristët muslimanë kanë përmendur sa vijon:

Së pari: Përkufizimi i madmadas (gargaras) dhe istinshakut (ujëthithjes me hundë)

a. Përkufizimi i gargaras: Fjala arabe madmada (EL-MAĎMAĎA) nënkupton shpërlarjen e gojës përmes futjes e gurgullimin e ujit në të dhe hedhjes së tij jashtë.

b. Përkufizimi i ujëthithjes me hundë: Fjala arabe istinshak (EL-ISTINSHAAǨ) ka kuptimin e thithjes së ujit me hundë përmes frymëmarrjes dhe pastaj shfryrjes së tij (istinther / EL-ISTINTHEER), për të pastruar hundën (është përmendur vetëm ujëthithja në shprehi të ujëshfryrjes, pasi kjo e dyta është rrjedhojë e të parës).

Së dyti: Forma e kryerjes së gargaras dhe ujëthithjes me hundë

a. Forma e gargarës

Forma e plotë e saj është që të futet uji në gojë dhe të rrotullohet e gurgullohet në të gjithë gojën ose shumicën e saj (nga dhëmbët deri tek fyti); kurse më e pakta është që thjesht të futet uji në gojë.

Forma me tepri e saj (El-Mubelaga Fi El-Madmada / gargara me tepri) është që uji të gurgullohet në të gjithë gojën ose shumicën e saj deri në skajet e grykës, që konsiderohet sunet (veprim shumë i pëlqyeshëm) në të katër medh’hebet.

b. Forma e ujëthithjes me hundë

Forma e plotë e saj është që uji të thithet me hundë në të gjithë ose shumicën e hundës dhe të shfryhet nga ajo; kurse më e pakta është që uji thjesht të thithet me hundë në brendinë e saj.

Forma me tepri e saj (El-Mubelaga Fi El-Istinshak / Ujëthithja hundore me tepri) është që uji të thithet në të gjithë hundën ose shumicën e saj deri në skajin e brendisë së hundës, që konsiderohet sunet (veprim shumë i pëlqyeshëm) në të katër medh’hebet dhe përparësi ka mendimi se ujëthithja hundore me tepri është sunet (veprim shumë i pëlqyeshëm) edhe më parësor se gargara me tepri.

c. Forma e detajuar e kryerjes së gargarës dhe ujëthithjes me hundë

Si rregull gargara kryhet para ujëthithjes-ujëshfryrjes hundore dhe uji merret njëherësh me pëllëmbën e djathtë për gargarën edhe ujëthithjen me hundë, teksa ujëshfryrja hundore bëhet me dorën e majtë

Renditja e gargarës para ujëthithjes-ujëshfryrjes hundore është vepër e pëlqyeshme (mustehab) dhe jo e obliguar (sipas shumicës së juristëve muslimanë).

Pëlqehet përdorimi i pëllëmbës së dorës së djathtë për të kryer garagarën dhe ujëthithjen me hundë dhe i dorës së majtë për ta shfryrë atë (gjë që përbën mendimin e të katër medh’hebeve).

Burimi:Jetaever8