Pyetja:
Xhaxhai im do që të çelë një bunar (pus) uji në Afrikë, në emër të nënës, e cila ka dy muaj që ka ndërruar jetë. A është kjo sadaka e bërë për familjarin e vdekur prej më të mirave dhe a bën që familjari ta bëj atë direkt në emër të të vdekurit apo ta bën atë në emër të vet dhe pastaj e bën nijetin (qëllimin) që ta japë si sadaka (lëmoshë) për të vdekurin; si është më mirë?
***
Përgjigjja:
Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhamedin ﷺ!
Së pari: Dispozita e dhënies sadaka për të vdekurin
Në këndvështrimin juridik islam, mendimi më i fuqishëm është se shpërblimi i veprës së mirë (adhurimit) të bërë nga muslimani i gjallë, vlen (është çështje e saktë) që t’i dhurohet të vdekurit musliman/e, sido që të jetë bërë kjo vepër, me para ose mund fizik; teksa mendimi konsensual i të gjithë juristëve muslimanë është se dobia e sadakasë (lëmoshës) dhe lutjes së bërë për të vdekurin musliman, mbërrin tek ky i fundit (i vdekuri musliman)
Së dyti: Dispozita e sadakasë për të vdekurin, përmes bërjes së puseve etj.
Sigurimi i ujit të pijshëm për nevojtarët duke hapur pus dhe ngjashëm (kanalizime të ujit të pijshëm, vaditjes, lumenjve etj., të tilla që përfitimi prej tyre nuk i shteron ato), përbën një nga sadakatë (lëmoshat) e rrjedhshme më të mira që mund të bëhet për prindin tonë të vdekur musliman (dhe për të vdekurin musliman në përgjithësi), sepse e tillë gjë përbën atë që njihet në mesin e juristëve muslimanë me termin “vakëf / pasuri e patundshme (institucionale islame)” bazuar në transmetimin profetik ku vjen se, “Sead Ibn Ubade e ka pyetur Profetin ﷺ: ‘O i Dërguar i Allahut, më ka vdekur nëna, prandaj a të jap sadaka (lëmoshë) për të?’ Ai ﷺ tha: ‘Po.’ I thashë: ‘Cila sadaka është më mirë.’ Ai ﷺ tha: ‘Shërbimi i ujit.’
Së këtejmi, prej sadakasë më të mirë që mund të bëhet për prindin e vdekur, është shërbimi apo sigurimi i ujit, duke hapur pus ose ngjashëm në vendet e varfra ku njerëzit kanë nevojë për ujë, siç e orientoi Profeti ﷺ në transmetimin e mësipërm profetik shokun e tij Seadin (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gjë në lidhje me të cilën Ibn El-Kajimi thotë: “Sadakaja më e mirë është ajo që bëhet sipas rastit të nevojës së përfituesit të saj dhe që është e përhershme edhe e vazhdueshme.”
Së treti: Forma e bërjes së nijetit të sadakasë për të vdekurin
Forma e nijetit (qëllimit) të sadakasë që bëhet për të vdekurin, nuk është se ka ndonjë trajtë të veçantë, porse në këtë rast “mjafton që nxjerrja e kësaj sadakaje të bëhet me vendimin (qëllimin) se ajo po bëhet për këtë të vdekur”. Me fjalë të tjera, sadakaja për të vdekurin musliman, bëhet në një formë të tillë që: (së pari) kjo sadaka të bëhet në përputhje me rregullat e fesë islame dhe me nijetin vetëm për të fituar kënaqësinë e Allahut të Madhëruar dhe (së dyti) të bëhet duke iu drejtuar Allahut që shpërblimin e kësaj sadakaje të bërë t’ia dhurojë të vdekurit musliman të dëshiruar.
Allahu e di më mirë.
Bashkim Aliu