Pyetja:
A është i obliguar muslimani që ta nxjerrë Zekatin e Fitrit për personat që ushqen (është kujdestar të paguajë për jetesën e tyre), siç janë: bashkëshortja e tij, prindërit e tij, fëmijët e tij etj.?
***
Përgjigjja:
Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhamedin ﷺ!
Nxjerrja e Zekatit të Fitrit bëhet obligim nëse (bazuar në mendimin e shumicës së juristëve muslimanë) në natën dhe ditën e festës së Fitër Bajramit, personit, veç nevojave bazë jetike (si: ngrënia, pirja, veshmbathja, banimi, ilaçet, transporti dhe ngjashëm) të tij dhe atyre që ka në kujdestari, i tepron një shtesë pasurore / ushqimore e cila ia mundëson nxjerrjen e këtij zekati.
Kurse lidhur me faktin nëse personi e ka apo jo obligim ta nxjerrë Zekatin e Fitrit për personat që është kujdestar të paguajë për ushqimin apo jetesën e tyre, dy mendimet bazë të juristëve muslimanë janë si vijon:
Mendimi i parë: Obligohet nxjerrja e Zekatit të Fitrit për veten, jo për tjetërkënd
Medh’hebi hanefi (dhe dijetarë si: Sheukani, Ibn Uthejmini etj.) janë të mendimit se si rregull detyrimi juridik islam i drejtohet personit në vetvete, ndaj bazuar në tekstet referente, secili individ musliman duhet ta nxjerrë Zekatin e Fitrit për vete; pra bashkëshortja, prindi, fëmija i rritur dhe ai i vogël i pasur, e nxjerrin vetë Zekatin e Fitrit.
Mendimi i dytë: Obligohet nxjerrja e Zekatit të Fitrit edhe për kë ushqejmë
Shumica e juristëve muslimanë (përfshirë medh’hebin maliki, shafi’i, hanbeli etj.) janë të mendimit se personit i del si obligim që ta paguaj Zekatin e Fitrit për veten e tij dhe për kë ushqen, pra për kë është kujdestar (përgjegjës) që të paguajë për jetesën e tij apo ka për detyrë të kujdeset financiarisht për të, si: bashkëshortja, fëmijët, prindërit e personit etj. Së këtejmi personit i obligohet ta nxjerrë Zekatin e Fitrit për vete dhe këdo që ushqen, sidomos për kë e ka obligim të paguajë për jetesën e tyre dhe nuk janë të aftë ta paguajnë vetë Zekatin e Fitrit, ku në rend të parë hyjnë bashkëshortja (edhe nëse është e pasur) dhe të afërmit e varfër prej trungut ose degëzimit familjar të personit (prindërit dhe gjyshërit e sipër edhe fëmijët dhe nipërit / mbesat e poshtë); teksa ata prej tyre që janë të aftë ta paguajnë vetë Zekatin e Fitrit është më mirë ta nxjerrin vetë atë, pasi ky detyrim si rregull u drejtohet vetë atyre.
Allahu e di më mirë.
Alaudin Abazi