Pyetja:

Cilat janë kushtet bazë (të përgjithshme) të kapitalit (pasurisë / mallit) për të cilin duhet të përllogaritet nisabi (vlera pasurore obliguese e zekatit)?

***

Përgjigjja:

Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhamedin ﷺ!

Kushtet e përgjithshme të kapitalit apo pasurisë për të cilën duhet të përllogaritet nisabi (vlera pasurore obliguese e zekatit) janë si vijon:

Së pari: Pronësia e plotë e pasurisë zekatore

a. Kjo pasuri të jetë në pronësinë e plotë të pronarit të saj

Me pronësi të plotë nuk synohet pronësia reale, pasi kjo e fundit i takon vetëm Allahut, porse me pronësi të plotë të muslimanit synohet që pasuria e tij: të jetë tërësisht në pronësi të tij, ta ketë nën kontrollin e tij të plotë të pakufizuar e të pakushtëzuar dhe të mos ketë në të ortak dikënd tjetër.

b. Pasuria të jetë hallall (të mos jetë haram/e paligjshme)

Pasuri hallall quhet ajo që fitohet në përputhje me rregullat ligjore islame; kurse për pasurinë e marr në mënyrë të paligjshme (haram / të ndaluar) nuk jepet zekat, pasi mbajtësi i saj faktikisht nuk është pronar i saj; porse ai (mbajtësi në fjalë) e ka për detyrë t’ia kthejë atë pronarëve të vërtetë të kësaj pasurie a malli, pasi çfarë merret përmes vjedhjes, korrupsionit dhe palçkitjes nuk është e vlefshme (e ligjshme) që të pronësohet.

Së dyti: Pasuria të jetë e mundshme për t’u shtuar (investuar)

Nxjerrja e zekatit për një pasuri të caktuar, ka si kusht që ajo të ketë kapacitet të shtohet / rritet në vetvete apo t’i gjenerojë (lind) pronarit të saj fitim, ose prodhim, ose të ardhura, falë një pune që bën me të pronari i saj ose një person i autorizuar (caktuar) prej këtij pronari.

Së treti: Arritja e vlerës së nisabit (pasurisë obliguese të zekatit)

Sadakja (Lëmosha) e detyruar nuk obligohet për çdo vlerë pasurie, porse feja burimore hyjnore islame ka përcaktuar një vlerë fikse pasurore me arritjen e së cilës pronarit të saj i bëhet obligim dhënia e zekatit për të, vlerë e cila njihet në terminologjinë fetare islame me artikulimin “nisab”. Pikërisht arritja e nisabit (vlerës pasurore obliguese të zekatit) – që ndryshon varësisht kapitaleve zekatore – përbën vlerën pasurore të përcaktuar sheriatikisht (sipas ligjit hyjnor islam) si kufi përcaktues / dallues mes të pasurit dhe të varfrit.Lexoni më tepër

Së katërti: Pasuria të jetë shtesë (tepër) nevojave bazë jetike

Më konkretisht, kuptimi është që nëse personi ka para që meritojnë të paguhen në nevojat bazë të tij, këto para janë si të mos ishin (pra zbriten nga nisabi), bazuar në rregullin e dijetarëve muslimanë ekzaminues: “Paraja e përdorur për nevojën bazë (themelore) është njëjtë si të mos ekzistojë.”

Së pesti: Llogaritja e borxheve

a. Borxhmarrja: Lidhur me borxhet e marra, duhet të kihet parasysh sa vijon:

Në rastin kur një person ka një borxh të tillë që ia mangëson pasurinë e tij nën vlerën e nisabit (vlerës obliguese të zekatit), ky person del nga rrethi i atyre që e kanë obligim dhënien e zekatit. Në këtë kuadër, një mendim i fuqishëm i juristëve muslimanë është se më e mira është që të llogariten vetëm borxhet e ngutshme të cilat duhen likuiduar përgjatë një viti; por duhet theksuar se lejohet që të llogariten të gjitha borxhet, përfshirë edhe ato me këste.

Së gjashti: Kalimi i një viti hënor

Muslimani duhet ta ketë në kontroll zhvillimin e pasurisë së tij dhe posa të hetojë se ajo ka arritur nisabin (ku koha e hyrjes së nisabit fiksohet ose me siguri ose bazuar në mendimin më të fuqishëm), duhet të ketë parasysh sa vijon:

a. Pas mbërritjes së nisabit, zekati nxirret menjëherë (jo me këste) për të gjithë shifrën përmbyllëse pasurore të një viti hënor, bazuar në thënien profetike: “Nuk jepet zekati për një pasuri, derisa ajo të kalojë (mbush) një vit.”

Sa në fjalë ka të bëjë vetëm me kapitalet e padukshme (floririn, argjendin, paratë dhe mallrat e tregtuar) dhe me bagëtitë; kurse nxjerrja e zekatit të produkteve bujqësore dhe metaleve nuk ka si kriter të dhënies së zekatit të tyre kalimin e një viti hënor pas mbërritjes së nisabit të tyre.

Allahu e di më mirë.

Alaudin Abazi