Pyetja:

Si llogaritet zekati i mallit të tregtisë, a largohet qiraja që jepet për çdo muaj gjatë tërë vitit dhe shpenzimet e tjera, apo llogaritet vlera e mallit në euro në muajin e zekatit pa i hequr shpenzimet që janë bërë gjatë vitit?

***

Përgjigjja:

Nëse posedoni mall tregtie që arrin sasinë e nisabit, pra malli i tregtisë e arrin vlerën e 85 gramë ar e sipër[1] dhe këtë sasi e posedoni një vit të tërë në pronësinë tuaj, apo ai mall shkon mirëpo vjen tjetri në vend të tij, siç është rasti me artikujt ushqimorë në markete apo me veshmbathjet në butikë, atëherë ju obligoheni të jepni zekatin.

Për arin, argjendin ose kundërvlerën e tyre në monedha si dhe për mallrat që janë të destinuara për tregti nxirret zekat një e katërta e të dhjetës, apo 2.5% e vlerës së përgjithshme të pasurisë që posedoni. Zekati nuk llogaritet për pasurinë që shërben për nevoja, siç janë: banesa, orenditë shtëpiake, rrobat, mjetet e punës, mjetet transportuese, kafshët për punë, pasuria e caktuar për larjen e borxheve, pastaj prodhimet e duhura ushqimore për ekzistencën e familjes… etj..

Në rastin konkret, mënyra e nxjerrjes së zekatit është si vijon: Nëse pasuria juaj ka arritur nisabin në muajin Ramazan, atëherë në Ramazanin e vitit të ardhshëm ju duhet të bëni bilancin e pasurisë suaj dhe të bëni vlerësimin e mallit të tregtisë. Vlera e mallit vlerësohet sipas çmimit të tregut të shitjes me shumicë në kohën kur duhet të nxirret zekati dhe jo me çmimin e blerjes, ngase me këtë llogari rrezikohet të dëmtohen të varfrit, dhe as me çmimin e shitjes me pakicë, ngase me këtë llogari rrezikohet të dëmtohet tregtari, ndërsa  llogaria me çmimin e shumicës merr parasysh interesat e të dyja palëve. Llogaria e vitit bëhet sipas hixhretit dhe jo sipas lindjes së Isait (alejhi selam).

Shpenzimet që keni pasur gjatë tërë vitit, si f.v qiraja, rryma elektrike, tatimi, pagat e punëtorëve etj., nuk llogariten  në vlerën e mallit që duhet të nxirret zekati. Vlerës së mallit për tregti i bashkëngjiten edhe fitimi i tërë vitit, llojet e pasurive të tjera si ari, argjendi, monedhat e ndryshme dhe bëhet vlerësimi i përgjithshëm i pasurisë që posedoni, ku nga vlera e përgjithshme e pasurisë nxirret 2.5%.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

———————-

[1] Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve. Këtë qëndrim e mbajnë edhe shumë dijetarë bashkëkohorë si Dr. Jusuf Karadavi, Vehbe Ez Zuhejli, Abdulkerim Zejdani, etj.