Pyetja:

Nëse dikujt i dhuron gjak në mënyrë vullnetare dhe ai dëshiron që ta paguajë, a e kam mëkat nëse i marr ato para?

***

Përgjigjja:

Dhurimi i gjakut në mënyrë vullnetare është prej veprave fisnike dhe humane, ngase nëpërmjet dhurimit të gjakut shpeshherë ne bëhemi shkaktarë, pas Allahut xh.sh., në shpëtimin e jetës së shumë njerëzve. Allahu i Lartësuar thotë:

Për këtë (shkak të atij krimi) Ne u shpallëm (ligj) Beni Israilëve se kush mbyt një njeri (pa të drejtë), pa pasur mbytur ai ndonjë tjetër dhe pa pasur bërë ai ndonjë shkatërrim në tokë, atëherë (krimi i tij) është si t’i kishte mbytur gjithë njerëzit. E kush e ngjall (bëhet shkak që të jetë ai gjallë) është si t’i kishte ngjallur (shpëtuar) të gjithë njerëzit.” (Maide: 32)

Dhurimi i gjakut me kompensim në të holla është vepër shumë e ulët dhe jonjerëzore dhe si e tillë është e ndaluar me mendim unanim të dijetarëve, duke u bazuar në hadithin e Pejgamberit ﷺ, i cili “ka ndaluar marrjen e parave (vlerë) për gjak.” [1]

Mirëpo nëse njeriu i dhuron dikujt gjak vullnetarisht dhe përfituesi nga dhurimi i gjakut, nga vullneti i mirë i tij, i dhuron diçka, qoftë edhe të holla në formë dhurate, mendoj se nuk ka asnjë pengesë për lejimin e kësaj dhurate sepse tashmë kjo konsiderohet dhuratë e jo kompensim për gjak.

Allahu e di më së miri.

Dr.Shefqet Krasniqi

————————————————————

[1] Buhariu, nr. 2238; Muslimi, nr. (1567) 39.