Pyetja:
Çka përmirëson sehvi sexhdeja në namaz dhe kur bëhet, para apo pas dhënies së selamit?
***
Përgjigjja:
Sehvi sexhdeja është përmirësim dhe plotësim i ndonjë gabimi të caktuar gjatë faljes së namazit. Sehvi sexhdeja është obligim që të bëhet në tre raste:
a) Nëse e vonojmë kryerjen e ndonjë farzi të namazit, si psh., nëse pas qëndrimit në këmbë dhe leximit të sures, nga harresa shkojmë në sexhde pa e bërë rukunë, në këtë rast obligohemi të kthehemi në ruku e pastaj të vazhdojmë në sexhde, mirëpo për shkak të vonimit të kryerjes së farzit, që është rukuja, obligohemi të bëjmë sehvi sexhden.
b) Nëse e harrojmë kryerjen e vaxhibit të namazit, si p.sh.: nëse falim ndonjë namaz me katër rekate dhe pas rekatit të dytë nuk qëndrojmë fare në uljen e parë (etehijatin), por vazhdojmë në rekatin e tretë, në këtë rast e kemi harruar kryerjen e vaxhibit të namazit, që është ulja e parë. Si kompensim për këtë lëshim obligohemi të bëjmë sehvi sexhden.
c) Nëse e vonojmë kryerjen e vaxhibit të namazit, si p.sh.: nëse në rekatin e parë të ndonjë namazi nga harresa fillojmë të lexojmë ndonjë sure para këndimit të Fatihasë, në këtë rast e kemi vonuar kryerjen e vaxhibit, që është këndimi i Fatihasë e pastaj një sure, e si kompensim për këtë harresë obligohemi të bëjmë sehvi sexhden.
Sehvi sexhdeja bëhet në fund të namazit pasi këndojmë etehijatin, japim selam në të djathtë e pastaj bëjmë dy sexhde, pastaj e këndojmë edhe një herë etehijatin, salavatet dhe duatë e pastaj japim selam në të djathtë dhe në të majtë dhe përfundon namazi.
Allahu e di më së miri.
Dr.Shefqet Krasniqi