Pyetja:

A është me vend fjala “Zoti të lashtë shnosh”, kur vdes dikush?

***

Përgjigjja:

Ngushëllimi i të afërmve të të vdekurit me rastin e vdekjes së anëtarit të familjes ose ndonjë të afërmi ka për qëllim nxitjen e të gjallëve për durim duke ua kujtuar shpërblimin e madh që kanë dhe në të njëjtën kohë është lutje për të vdekurin. Kjo është vepër e lavdëruar, ngase nëpërmjet shprehjes së ngushëllimit shfaqet solidariteti, kurse familjarëve të të vdekurit u lehtësohet dhembja dhe u forcohet durimi për përballimin e sprovës me rastin e humbjes së të dashurit të tyre. Kjo vepër futet në fjalën e Allahut:

Ndihmohuni mes vete me të mira dhe në të mbara, e mosni në mëkate e armiqësi.” (Maide: 2)

Gjithashtu edhe në fjalën e Pejgamberit ﷺ: “Allahu është në ndihmë ndaj robit të Tij përderisa robi është në ndihmë të vëllait të tij.” [1]

Nuk ka dyshim se ngushëllimi është një ndihmë shumë e madhe për vëllanë, ndaj edhe ka shumë sevap. E këtë sevap të madh na e cek më mirë Pejgamberi ﷺ, kur thotë: “Nuk ka besimtar që e ngushëllon vëllanë e vet në ndonjë bela (musibet, fatkeqësi, diçka të pakëndshme), e që Allahu të mos e veshë atë në Ditën e Kiametit me një veshje respekti.” [2]

Kjo do të thotë se Allahu e ngre në një shkallë shumë të lartë në Ditën e Kiametit për hatër të ngushëllimit të vëllait të vet.

Nuk ka ndonjë shprehje të posaçme që është e caktuar të thuhet me rastin e shprehjes së ngushëllimeve.

Shevkani ka thënë: ”Çdo gjë që e bën të goditurin me bela të durueshëm dhe ia lehtëson dhembjet quhet ngushëllim dhe me të shpërblehet ai që ngushëllon.” [3]
Pra shprehjet e ngushëllimit kthehen edhe në traditë të një populli, me rëndësi është ngushëllimi për të gjallin dhe lutja për të vdekurin.

Mendoj se shprehjet që përdorim ne shqiptarët, si: ‘Allahu e pastë mëshiruar këtë të vdekur’, ‘Mos u mërzitni’, ‘Allahu në xhenet’, ‘Allahu ia pastë falë gjynahet, e juve sabër e gajret’, ‘Bënu të fortë’, ‘Të Zotit jemi dhe tek Ai do të kthehemi’ e të ngjashme me to janë shprehje shumë me vend.

Një formë ngushëllimi e cila ka ardhur nga Pejgamberi ﷺ dhe që përmban lutje për të vdekurin dhe ngushëllim e këshillim me durim për të gjallët është një formë shumë e mirë dhe gjithëpërfshirëse. Ajo është: “E Allahut është çka merr dhe e Tij është çka jep dhe çdo gjë që ekziston tek Ai e ka afatin e caktuar, bëni durim dhe shpresoni në shpërblimin e Zotit.” [4]

Kjo përfshin sabrin për bela, pajtimin me kaderin, dëshminë se çdo gjë është e Zotit dhe se tek Ai do të kthehet dhe se çdo gjë e ka caktimin e vet kur të vijë në këtë dynja dhe kur të dalë prej kësaj dynjaje, as më herët e as më vonë.

Vërtet ky është një hadith shumë i madh që vlen të futet në praktikë, por prapë, siç thamë më lart, nuk ka diçka të veçantë nga e cila nuk bën të dalim.

Ndërsa shprehja “Zoti të lashtë shnosh!” mendoj se ka mangësi, ngase është shprehje që përmban lutje vetëm për ata që janë të gjallë, por jo edhe për të vdekurit, prandaj kjo shprehje mund të përdoret edhe me rastin e ngushëllimit të jobesimtarit.

Me rastin e shprehjes së ngushëllimit kur vdes një musliman, përveçse duhet të lutemi për shëndetin dhe mbarësinë për pasardhësit e të vdekurit, duhet edhe t’i këshillojmë të jenë të bindur dhe të kënaqur me caktimin e Zotit si dhe duhet të lutemi që të vdekurin ta përfshijë falja dhe mëshira e të Gjithëmëshirshmit.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

————————————————————

[1] Muslimi, nr. (2699) 38.

[2] Ibën Maxhe, nr. 1601. Albani ka thënë: “Hasen”.

[3] Nejl el-Evtar, 4/109.

[4] Buhariu, nr. 1284; Muslimi, nr. (923) 11.