Pyetja:

Sqarimi i çështjes së sigurimeve

***

Përgjigjja:

Sigurimi – me të gjitha llojet e tij – është një lloj kumari që është shpikur në kohët moderne. Prandaj nuk lejohet asnjë lloj sigurimi, qoftë ai që bëhet për makinat, për pasuritë e patundshme, apo për jetën, apo çdo gjë tjetër materiale.
Kjo sepse nga sigurimi me të gjitha llojet e tij, nuk bëhet asnjë punë në këmbim nga kompania e sigurimeve përveç fatit apo shansit. Për këtë arsye nuk ka dallim mes asaj që sot quhet sigurim (siguracion), dhe asaj që quhet fat, apo fat bamirës, dhe mes fjalës së Allahut të Lartësuar: “Me të vërtetë alkooli, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetave për fall janë punë e ndytë prej shejtanit, prandaj largohuni prej tyre në mënyrë që të shpëtoni” (Maideh: 90)

Dhe Zoti ynë i Lartmadhëruar kur e ndaloi kumarin dhe çdo gjë që lidhet me të prej kumareve bashkëkohore, e bëri këtë për shkak se ajo është diçka që nuk bazohet në përpjekje, apo lodhje nga ana e njeriut, dhe ai mund të fitojë, dhe kjo është mundësia më e madhe, dhe mund të humbasë, dhe kjo është mundësia më e vogël. Ndryshe nga sigurimi.

Sikur njeriu të ishte i pandikuar nga realiteti që e rrethon e prej rrethanave dhe zakoneve të shoqërisë, do të kuptonte se sigurimi është lloji më i keq i bixhozit në faqen e tokës. Ai është kumari më i keq në faqen e tokës sikur ta dinin. Kjo sepse kumarxhiu më i madh është i kërcënuar nga rreziku i humbjes. Prandaj dëgjon për kumarxhitë më të mëdhenj se si humbasin miliona brenda ditës. Ndërsa kompanitë e sigurimeve nuk humbasin!

Dhe sikur një kompani e vetme të humbiste do të shkriheshin të gjitha kompanitë e sigurimit. (Por kjo nuk ndodh). Sepse ato kur vendosin çmimet e sigurimit për qytetarët që kërkojnë të sigurohen në kompanitë e tyre, bëjnë llogari shumë të përpikta, dhe për këtë i ndihmon ata në kohët moderne, dhe ju kursen shumë mund që e shpenzonin më parë, aparati që sot quhet kompjuter.

Le të marrim për shembull kompaninë që siguron jetën e njeriut. Ndoshta ju të gjithë e dini se ata nuk sigurojnë jetën e nje njeriu që ka arritur një moshë të madhe si puna ime. Sepse thonë: Ky është në buzë të varrit. Bëjnë llogari të imtësishme. Por besoj kanë një farë kufiri, deri në 60 vjeç. Përse ky kufi? Sepse ata bëjnë llogari shumë të detajuara. E dinë që po të sigurojnë dikë që i ka kaluar të gjashtëdhjetat ata humbasin.

Po ashtu prej llogarive të tyre të imtësishme është se studiojnë statistikat e çdo vendi. Sa aksidente automobilistike mund të ndodhin në të? Dhe kjo është shumë e lehtë për ta. Le të supozojmë se statistikat tregojnë që në këtë vend ndodhin afërsisht 1000 aksidente çdo vit. Pastaj llogarisin çdo makinë, sa është shkalla e dëmtimit që ajo mund të pësojë. A janë dëmtimet më të shumta të tilla që shkatërrojnë makinën totalisht, apo janë dëmtime të lehta? E kështu me rradhë. Në fund nxjerrin totalin: U duhen për shembull një milion dinar (euro) për të mbuluar dëmtimet e makinave të siguruara, prandaj ata bëjnë llogari që të fitojnë prej të siguruarve një milion e një çerek dinar (euro), apo një miljon e 100 mijë euro. U mjafton atyre, ata prapë dalin të fituar.

Për këtë arsye kompanitë nuk humbasin. Dhe kjo çështje është shumë e qartë sidomos po të kemi parasysh pamjen që vjen dhe të kundërtën e saj.

Një person sapo del me makinën e tij të re nga kompania ku e ka blerë, pëson aksident dhe makina e tij shkatërrohet plotësisht. Dhe makina është e siguruar. Dhe ai ka paguar këstin e parë të saj. Sa mund të kushtojë kësti i tij? Nuk e di ndoshta 20 dinar. Në këmbim të 20 dinarëve atij i paguajnë 20 mijë dinarë! Që është edhe çmimi i makinës së re. A ka ndonjë prej njerëzve, sado i leshtë të jetë nga mendja, apo që nuk kupton fare, të mendojë se kompania këto 20 mijë dinarët i pagoi nga xhepi i saj, dhe humbi?! Jo, këto 20 mijët i erdhën asaj nga të siguruarit e tjerë të cilët kanë paguar sigurimet për dhjetë vjet, apo njëzet vjet dhe s’kanë bërë asnjë aksident. Të gjitha këto para grumbullohen te kompania, dhe kur ndodh ndonjë aksident i tillë, ata paguajnë nga shuma që kanë mbledhur në vite nga të siguruarit e tjerë të cilëve s’u ka ndodhur asnjë aksident. Ky është kumari, paguhet një shumë e caktuar parash në këmbim të një letre të shkruar dhe pa asnjë punë.

Dikur në të kaluarën ekzistonte një lloj sigurimi. Për shembull një anije tregtare ruhej me roje nga sulmet e piratëve të detit. Roje të cilët ishin të përgatitur për çdo lloj sulmi. Ky lloj sigurimi s’ka asnjë problem sepse atyre u paguhen para në këmbim të ruajtjes së mallit.
Ndërsa sigurimi i sotëm, unë habitem se si dijetarët që përmende, i konsiderojnë të lejuara disa lloje sigurimesh, ndërsa disa jo, kur të gjitha ato hyjnë tek kumari.

Prandaj nuk e këshillojmë asnjë musliman që të sigurojë asgjë, qoftë ajo që sigurohet: makinë, pasuri e patundshme, shtëpi, apo të ngjashme me këto.

Por këtu del një çështje: sigurimi që është i imponuar prej shtetit, për këtë njeriu nuk ka përgjegjësi, sepse konsiderohet taksë, si të gjitha taksat që vendos shteti. E megjithatë diçka duhet theksuar edhe këtu:

Nëse personi i siguruar paguan siguracionin i detyruar nga shteti për makinën e tij, dhe pastaj i ndodh një aksident, kompania – në bazë të marrëveshjes – i paguan atij dëmin që i është bërë. Këtu themi: Nëse shuma e sigurimeve që ai ka paguar (në vite) është e barabartë me shumën që do t’i paguajë kompania, apo është më e madhe se ajo, atij i lejohet që ta marrë atë shumë parash prej kompanisë. Ama nëse është si shembulli i parë që supozuam: që ka blerë makinë të re, dhe s’ka ecur me të veçse pak, e i prishet makine komplet, në një kohë që ai ka paguar vetëm një këst, dhe ata ja paguajnë komplet çmimin e makinës, kjo është e ndaluar, nuk lejohet. Ky është shtjellimi i kësaj çështjeje.

Shejh Albani

Përktheu: Udha e Besimtarëve