Pyetja:

Cilat janë ushqimet dhe medikamentet që lejohen dhe ndalohen në vendet joislame?

***

Përgjigjja:

Në bazë të rregullave normative islame kafshët që theren nga myslimanët, të krishterët dhe çifutët janë të lejuara, kjo normë vlen në mënyrë permanente përderisa të provohet e kundërta.

Që kafsha e therur të jetë hallall duhet të plotësohen këto kushte: të thuhet “Bismilah” gjatë therjes, therja të jetë e rregullt, kasapi duhet të jetë mysliman ose çifut ose i krishterë, kafsha e therur duhet jetë kafshë që lejohet ngrënia e mishit të saj.
Thënia e emrit të Allahut gjatë therjes (Bismilah) është kusht që kafsha e therur të konsiderohet hallall, ai mysliman që duke e ditur këtë dispozitë-kusht nuk e praktikon atë -duke qenë i vetëdijshëm- atëherë therja e tij nuk konsiderohet hallall. Ndërsa ai që nuk e thotë fjalën “Bismilah” -për shkak të padijes apo harresës- e therura e tij është hallall. Për sa i përket therjes që bëhet nga të krishterët apo çifutët, nuk është kusht që ata të përmendin “Bismilah” që therja e tyre të jetë hallall. Ai që e ther kafshën në emër të dikujt tjetër veç Zotit, ky mish nuk është hallall, edhe nëse ky person është mysliman apo i krishterë ose çifut. Nëse therjet bëhen në grup (me makineri) atëherë mjafton thënia e fjalës “Bismilah” njëherë për çdo grup dhe nëse ajo ndërpritet atëherë fjala “Bismilah” duhet të përsëritet.
Çdo njeri që konsiderohet mysliman therja e tij është hallall, sado i keq apo bidatçi të jetë ai njeri, vetëm nëse ky njeri arrin deri në kufër që të nxjerr nga feja, atëherë kafsha që ai ther nuk është hallall. Çdo kush që konsiderohet musliman edhe pse pjesëtar i sekteve të devijuara, kafsha që ai ther është e lejuar, me përjashtim të rasteve kur personi konkret ka një bidat që e nxjerr atë nga feja, në këtë rast vetëm therja e këtij personi nuk lejohet të hahet.
Zbatimi i rregullave të therjes është kusht që kafsha e therur të jetë hallall, kjo do të thotë se gjatë therjes, që duhet të rrjedhë gjak, duhen prerë venat e gjakut, kjo për kafshët që është e mundur të theren, dhe me goditje gjakërrjedhëse për kafshët që nuk kapen dot, e shoqëruar kjo në të gjitha rastet me përmendjen e emrit të Allahut dhe me nijet për therje.
Therja është metoda e preferuar nga ana e Sheriatit për prerjen e deleve, lopëve, shpendëve dhe kafshëve të tjera të ngjashme me to. Prerja bëhet në fyt, më e plotë është kur gjatë saj prihet kanali i ushqimit, i frymëmarrjes dhe dy venat e gjakut. Më e pakta vlen therja që shkakton rrjedhjen e gjakut duke prerë kanalin e ushqimit dhe njërën prej venave të gjakut. Kushtëzohet që gjatë therjes mjeti me të cilën ai kryhet të jetë i prehtë dhe të presë për shkak të tehut të tij, qoftë ky material prej hekuri apo diçka tjetër, me përjashtim të rasteve kur materiali është kockë apo thua, të cilat nuk lejohen të përdoren për këtë qëllim.
Goditja me pasojë vrasjen (akr) e kafshës, në cilëndo pjesë të trupit, duke shkaktuar rrjedhje gjaku, praktikohet për kafshët e gjahut që nuk mund të kapen. Këtë gjykim kanë si kafshët që jetojnë në gjendje të egër dhe që lejohet ngrënia e tyre ashtu edhe për kafshët e buta shtëpiake nëse ato sillen si të egra. Nëse kafsha kapet e gjallë atëherë ajo duhet të theret.
Nuk lejohet torturimi i kafshës para se ajo të theret, duke përdorur goditje elektrike apo fizike etj, përveç rasteve të pamundësisë kur kjo bëhet për të vënë nën kontroll kafshën që do të theret. Teprimi në të tilla raste -përtej së nevojshmes- është i ndaluar. Nëse kafsha ngordhë nga një veprim i tillë -para se ajo të theret- atëherë ajo konsiderohet e ngordhur dhe nuk lejohet të hahet.
Si normë bazë therja e pulave apo kafshëve të tjera bëhet nga dora e njeriut, por lejohet që kjo therje të bëhet edhe me anë të makinerisë, nëse përmbushen kushtet e therjes së lejuar fetarisht.
Nuk është e pëlqyer që t’i hiqet koka kafshës së therur menjëherë pas therjes së saj, sepse pa qenë e nevojshme kjo i shton asaj edhe më shumë dhimbje para ngordhjes. Dijetarët nuk e shohin të pëlqyeshme prerjen e ndonjë pjesë të trupit të kafshës së therur para se ajo të jap shpirt plotësisht, por gjithsesi ky mish edhe nëse theret në këtë mënyrë lejohet ngrënia e tij.
Çdo therje e mishit që mbikëqyret nga myslimanët ose çifutët (koshar) në origjinë ky mish është i lejuar, sido që të bëhet therja kokë për kokë, apo në grup me makineri.
Duke përjashtuar therjet që bëhen nën mbikëqyrjen e myslimanëve ose çifutëve (koshar), shumë prej mishrave që theren në këtë vend (ShBA) ka dyshime për to. Disa nga këto dyshime lidhen me mënyrën e therjes, ku lopët apo delet theren duke u prerë shumë poshtë fytit në mjaft thertore dhe verifikimi është i pasigurt në mjaft raste, nëse therja është në përputhje me rregullat islame apo jo. Dyshime të tjera lidhen me trullosjen e kafshëve, ku një përqindje e caktuar ngordh para se ato theren, në veçanti në mes lopëve dhe deleve. Kjo përqindje ndryshon sipas thertoreve të ndryshme, duke e përzierë kështu mishin e ngordhur me atë të therur. Dyshime të tjera kanë lidhje me përzierjen në mes ithtarëve të Librit me të tjerë që nuk janë të tillë, natyrisht që kjo përqindje ndryshon nga një shtet në tjetrin, çka e bën tepër të nxituar vendimin se ky mish është tërësisht hallall. Dyshimet që lidhen me këtë pikë janë më të forta kur kemi të bëjmë me delet dhe lopët, sepse ato theren mbi gjoks në mënyrë të atillë që të fut në dyshime. Janë pikërisht këto raste në të cilat janë konstatuar në disa thertore përqindje të larta ngordhjesh, e ku më pas ato përzihen me kafshët e therurat, sepse në këtë rast nuk ka ndonjë ligj që detyron largimin e këtyre kafshëve që ngordhin nga trullosja para se ato të theren. Kështu që në të tilla raste mendimi se një mish i ardhur nga këto thertore nuk duhet të konsumohet është mjaft i fortë, sepse kështu i largohemi dyshimit dhe jemi më të sigurt nga ana fetare. Kjo dilemë është më e dobët në rastet e pulave, sepse ato theren në fyt dhe trullosja e tyre shumë rrallë shkakton ngordhje, çka na bën të themi se tolerohet ngrënia e pulave apo shpendëve që shiten nëpër tregjet publike. Natyrisht porta e ruajtjes së vetvetes (eluera) është e hapur dhe e pëlqyer për këdo që do tu qëndrojë larg opinioneve mospajtuese për këtë çështje, si dhe niset nga qëndrimi për të qenë në rregull në çështjen e mishit ku shumica e dijetarëve e ndalojnë përdorimin e tij nëse rreth tij ka dyshime të qenësishme. Në këtë rast del në pah rëndësia e mbështetjes, që u duhet dhënë kompanive që prodhojnë mish hallall, duke ndihmuar në ngritjen e tyre dhe mesazhit që ato kumtojnë dhe duke e konsideruar punën e tyre si vazhdimësi të mesazhit që japin xhamitë dhe shkollat islame.
Njerëzit që identifikojnë veten e tyre si ithtarë të Librit njihen si të tillë, mjafton që ata në përgjithësi ta konsiderojnë veten si ndjekës të krishterimit apo judaizmit, dhe nuk ka rëndësi fakti se ata kanë devijuar apo deformuar fenë e tyre, sepse në të njëjtën gjendje kanë qenë edhe kohën e Profetit (alejhi salatu ue selam) dhe para tij, dhe megjithatë do të shohim se Kurani famëlartë u drejtohet atyre me emrin “ithtarë të Librit”. Ky gjykim vlen në mënyrë të përgjithshme për SHBA dhe banorët e saj, me përjashtim të atyre thertoreve ku ata që merren drejtpërdrejtë me therjen prononcohen se nuk i përkasin ithtarëve të Librit ose i përkasin feve të tjera.
Në origjinë mishi që theret në shtetet komuniste apo politeiste, njerëzit e të cilave nuk ndjekin ndonjë fe me origjinë qiellore, nuk është i lejuar derisa të provohet se ai që e ther mishin është mysliman ose prej ithtarëve të Librit.
– Restorantet kineze apo të politeistëve në shtetet e ithtarëve të Librit marrin të njëjtin gjykim si restorantet e tjera të këtyre vendeve, me përjashtim të rasteve kur dihet që këto restorante kanë thertore të veçanta, në këtë rast të therurat e tyre nuk lejohen, sepse nuk përmbushin kushtin që duhet të ketë kasapi.
Gjahu i detit dhe ushqimi me origjinë detare është i lejuar. Të gjitha kafshët që jetojnë vetëm në det janë të lejuara, pa përjashtim të gjitha, të ngordhura apo të gjalla, ku futen edhe peshqit e egër (p.sh., peshkaqeni) etj. Argument për këtë është e përgjithshmja e fjalës së Allahut të Lartësuar: “Ju është lejuar gjuetia e detit dhe çdo ushqim nga deti” (Maide: 96)
 Nuk është e hijshme të hahet në restorante që ofrojnë ushqime të ndaluara, për shkak të ndalesave të dukshme që ka në to dhe që është e vështirë të mënjanohen, kjo për shkak frikës që ekziston se ushqimet e ndaluara mund të gatuhen në të njëjtat enë ku gatuhen edhe ato të lejuarat dhe se ato nuk lahen para përdorimit të tyre. Në të tilla raste domosdoshmëria dhe nevoja e përgjithshme merren në konsideratë me masën që i takon.
Nuk lejohet përdorimi i enëve të jomyslimanëve para se ato të lahen, nëse dihet që ato janë të papastra, por nëse nuk dihet gjendja e tyre, atëherë norma bazë është se lejohet përdorimi i tyre.
Tymi që del nga djegia e sendeve të papastra konsiderohet –sipas mendimit më të saktë- i pastër, sepse papastërtia është tjetërsuar nga djegia, ndaj nuk ka asnjë problem. Përdorimi i mikrovalës për ngrohjen e ushqimeve është i lejuar edhe nëse para saj është ngrohur një ushqim jo i lejuar.
Si normë bazë ngrënia së bashku me njerëz që janë duke ngrënë apo pirë ushqime të ndalura nuk lejohet, si p.sh. mish derri apo pije dehëse -edhe pse myslimani pjesëmarrës në të tilla sofra nuk konsumon të tilla ushqime haram. Përjashtim bëhet në raste domosdoshmërie pune apo nevoje të përgjithshme, ku mospjesëmarrja në të tilla sofra ka pasoja për atë që nuk merr pjesë, por natyrisht këtu domosdoshmërisë i jepet vendi që i takon pa kaluar cakun, e duke u munduar sa më shumë shmangien e prezencës apo pakësimin e saj.
Nuk është e hijshme që mysafiri të pyesë të zotin e shtëpisë nëse ushqimi që po i servir është hallall apo jo, nëse personi në fjalë është njeri i besueshëm, ose nuk dihet për të se nuk i respekton rregullat e fesë së Zotit, duke i besuar kështu anës së dukshme të tij. Në raste kur ka siguri se ushqimi i ofruar nga i zoti i shtëpisë bie ndesh me mendimin e mysafirit që nuk e sheh atë si hallall, në këtë rast është e hijshme që refuzimi të bëhet sa më butësisht, duke qenë se mospajtimi i opinioneve për sa i përket mishit të therur nga ithtarët e Librit në kohën e sotme është një çështje që hyn te ixhtihadet që merren në konsideratë.
Lejohet të pyetet tregtari për llojin e mishit që shet, sepse çdo lloj ka klientët dhe koston e tij.
Lejohet përdorimi i xhelatinës që nxirret nga lëndët e lejuara, nga kafshët e lejuara, të therura sipas normave fetare. Nuk lejohet përdorimi i xhelatinës që nxirret nga ato që janë haram si: lëkura dhe kocka e derrit, si dhe nga çdo kafshë apo lëndë tjetër e ndaluar. Nuk lejohen të përdoren as ushqimet që përmbajnë lëndë të tilla, me përjashtim të rasteve kur masa është shumë e vogël dhe është shpërbërë në një lëndë tjetër, ose është transformuar më parë nga një lëndë në një lëndë tjetër.
Transformimi (el-istihale) quhet shndërrimi i një sendi në një send tjetër duke ndryshuar në veten dhe cilësitë e saj. Kjo është një formë e pastrimit të gjërave, duke i shndërruar sendet e papastra ose të ndotura në sende të pastra, si pasojë e kësaj ndryshon edhe gjykimi nga të qenit haram në hallall, sepse gjykimi lidhet me emrin dhe cilësinë e objektit dhe lidhet me praninë ose mosekzistencën e tij. Por, nëse cilësitë e objektit ndryshojnë dhe realiteti ngelet, gjykimi nuk ndryshon, si p.sh. në rastin kur diçka e lëngshme bëhet e ngurtë apo e kundërta, sepse lëngëzimi apo ngurtësimi edhe pse ndryshon disa cilësi nuk e ndryshon realitetin. Çështja është problematike kur kemi të bëjmë me zbatimin e kësaj gjëje në aspektin praktik sesa atë teorik nga ana juridike fetare, ndaj kjo çështje më së shumti i përket të vlerësohet nga specialistët e fushës sesa nga dijetarët islamë.
Lëndët ushqimore, të cilat në përbërjen e tyre kanë dhjam derri të patransformuar në diçka tjetër, si p.sh. në disa lloje djathërash, vajrash, kremrash, biskotash dhe çokollatash, janë të ndaluara dhe nuk lejohet ngrënia e tyre, për shkak se dijetarët islam janë unanim në mendimin se derri është kafshë e papastër dhe nuk lejohet ngrënia e tij, dhe në këtë rast nuk ka asnjë domosdoshmëri në konsumimin e këtyre ushqimeve.
Nuk lejohet që gjatë gatimit të përdoren pije dehëse, qoftë kjo në masë të vogël apo të madhe, sepse nuk ka ndonjë nevojë apo domosdoshmëri për këtë gjë, që nëse nuk konsumohet dëmtohet diçka. Ajo që e ka lejuar Allahu dhe i Dërguari i Tij është e mjaftueshme, kështu që shija që kërkohet t’i jepet ushqimit gjatë gatimit nëpërmjet përdorimit të pijeve dehëse mund të zëvendësohet me lëndë të tjera edhe më të mira dhe që janë të lejuara.
Gjykimi për sa i përket ushqimeve ku është përdorur pije dehëse gjatë gatimit të tyre ndryshon sipas rastit: nëse gjurmët e tij ndjehen, si p.sh., dehje e atij që e konsumon, ndryshim i shijes së ushqimit ose ngjyrës, në këtë rast ky ushqim është i ndaluar. Por, nëse përmbajtja e pijes dehëse ka avulluar plotësisht dhe nuk ka ngelura asnjë gjurmë në ngjyrë, shije, erë apo dehje, ky lloj ushqimi ngelet hallall edhe pse mendimi se alkooli ka avulluar plotësisht dhe nuk ka lënë asnjë gjurmë është në realitet e vështirë të thuhet, pa harruar këtu faktin se ngrënia e këtij ushqimi nënkupton aprovim të përdorimit të pijes dehëse në të, çka është gjynah më vete, kështu që ky ushqim hyn tek ushqimet që është i paqartë gjykimi për to, ndaj këshillohet largimi prej tyre për të qenë të qenë në rregull fetarisht.
Nuk lejohet përzierja e qëllimshme e ushqimeve dhe barnave me lëndë dehëse, cili do qoftë qëllimi: shija, aroma apo çfarëdo arsye tjetër. Lejohet përdorimi i tyre si dhe shitblerja nëse ato përmbajnë sasi të pakët që shpërbëhet pa u shfaqur ndikimi i tyre në ngjyrën e ilaçit ose ushqimit, në shijen, erën e tyre si dhe nuk shkakton dehje për atë që e përdor. Në këtë rast kjo lëndë shpërbëhet duke u përzierë në diçka të pastër dhe të lejuar ndaj hyn në diçka të tolerueshme, por këtu duhet të theksojmë se, nuk i lejohet myslimanit të prodhojë diçka të tillë, qoftë ky ushqim ose ilaç që konsumojnë myslimanët dhe as të japë ndihmesën e tij në këtë drejtim, në asnjë lloj aspekti.
Ushqimet që janë të dëmshme për shëndetin nuk janë hallall edhe pse ato mund të jenë të pastra, kjo sepse feja e ndalon të dëmshmen, cilido qoftë ai që preket prej saj. Lëndë të tilla janë p.sh. helmet – me përjashtim të rasteve kur ato përzihen në ilaçe për arsye kurimi gjë që lejohet- ose lëndë që shkaktojnë dëme tek disa njerëz, si p.sh., në rastet kur disa të sëmurëve u ndalohen disa ushqime, sepse ato janë të dëmshme posaçërisht për ta, në këtë rast për ta nuk lejohet konsumi i tyre, për shkak të dëmit që ato u shkaktojnë atyre.
Nuk është e pëlqyeshme të konsumohen ushqime apo pije që u ndjehet shija e pijeve dehëse në to edhe pse këto ushqime nuk të dehin, për t’i mbyllur kështu rrugën “nënës së të këqijave” dhe çdo kontakti me të, e që mund të ndjell dëshirën për përdorimin e saj, ose krijon përngjasim me njerëzit që e konsumojnë atë. Në këtë gjykim kemi pasur parasysh urdhrin fetar për t’iu larguar pijeve dehëse fizikisht dhe mendërisht.
Origjina dhe norma bazë për ushqimet është se ato janë të lejuara, ndaj asnjë prej tyre nuk mund të konsiderohet si haram nëse për të nuk ka argument. Uthulla është ushqim si gjithë të tjerat dhe merr gjykimin e tyre normativ. Dihet se i Dërguari i Allahut [ﷺ] e ka konsumuar uthullën, madje edhe e ka lavdëruar atë dhe i Dërguari i Allahut [ﷺ] nuk mund të lavdëroj një ushqim të papastër apo të ndaluar. Uthulla e nxjerrë nga frutat është e lejuar, përderisa origjina e saj vjen nga frutat edhe pse gjatë procesit të shndërrimit ajo kalon në pije dehëse, por nuk është ky qëllimi i saj, pasi ky është një proces që e kërkon natyra e shndërrimit të saj në uthull. Të gjitha uthullat që prodhohen nëpër fabrika duhet ta kalojnë këtë proces, pra para se të bëhet uthull kjo lëndë ushqimore fillimisht kalon në procesin e alkoolizimit e më pas në uthull. Këtu jemi në gjendje të vëmë re dallimin në mes këtij lloji dhe llojit i cili ka qenë që në fillim të procesit pije dehëse e ndaluar dhe përdorej si e tillë dhe më pas është marrë për tu shndërruar në uthull, pikërisht ky lëng nuk vlen të përdoret, me përjashtim të rasteve kur ai bëhet uthull vetë, sipas mendimit më të saktë të dijetarëve për këtë çështje.           

 

Asambleja e Juristëve të Sheriatit në Amerikë