Pyetja:

Jam një grua muslimane e martuar, por kam pasur problem shumë me burrin dhe familjen e tij, më kanë bërë zullum dhe nuk mund të duroj dot më. Edhe pse janë munduar shumë njerëz të na pajtojnë gjendja vazhdon e njëjtë, madje nuk kam më as dëshirë, dhe as ndjenja për të. Kam vendosur të kërkoj divorcin dhe momentalisht qëndroj te shtëpia e babait, kurse bashkëshorti refuzon të japë divorcin dhe më thotë, se nëse martohesh me tjetër do të bësh zina me të përderisa nuk të kam divorcuar. Kështu ai nuk mund të më mbajë peng për jetën time dhe të drejtat e mia. A pranohet fetarisht shkurorëzimi nëpërmjet gjykatës, edhe pse jemi shtet laik?

***

Përgjigja:

Së pari duhet të sqarojmë, se fetarisht femra mund të kërkojë divorcin, nëse me të vërtetë gjendja arrin deri aty sa nuk mund ta largojë, mënjanojë ose parandalojë padrejtësinë që i bëhet. Sidoqoftë Allahu në Kuran na tregon, se në këto raste duhen ndjekur fillimisht hapat e pajtimit, nëse është e mundur. Të shikohet mundësia e gjetjes së shkaqeve kryesore të problemeve dhe e gjetjes zgjidhje për to. Allahu i Lartësuar thotë:

Nëse i druheni ndarjes midis burrit e gruas, atëherë caktoni një ndërmjetës nga ana e burrit dhe një nga ana e gruas. Në qoftë se ata dëshirojnë paqësim, Allahu sjell marrëveshje midis tyre. Allahu, me të vërtetë, është i Gjithëdijshëm dhe i di të gjitha qëllimet.” (Nisa: 35)

Pra nuk duhet nxituar pa i shfrytëzuar të gjitha mundësitë për pajtim. Në rastin kur është e pamundur të gjehet gjuha e përbashkët dhe të ndreqen gjërat siç duhet, atëherë femra e ka të lejuar të kërkojë divorcin edhe nëse burri nuk do. Në sheriatin islam është gjykatësi (kadiu) ai që ndërhyn me vendim të prerë për të ndërprerë jetën martesore, nëse burri nuk pranon të japë divorcin. Në kushtet e sotme, ku shumë muslimanë jetojnë në shtete laike, atëherë në çdo rast, qoftë edhe vetëm gruaja, duhet t’i drejtohen fillimisht një komisioni hoxhallarësh të ditur, të cilët pasi marrin në shqyrtim me detaje çështjen bëjnë përpjekje për pajtim dhe nëse kjo ëshë e pamundur, atëherë vendosin për t’i dhënë fund martesës nga aspekti fetar sheriatik. Në këtë rast vendimi i tyre, nëse plotëson kriteret sheriatike të njohura nga dijetarët është i vlefshëm fetarisht. Nëse edhe vendimin e komisionit të hoxhallarëve burri nuk e merr parasysh ose nuk do ta njohë, atëherë ndarjen mes tyre e bën fakt të kryer ndjekja e mëpasme e procedurave gjyqësore të shetit ku jetojnë për shfuqizimin e celebrimit, që njihet në shtet. Allahu e di më së miri.

Komisioni i Lidhjes së Hoxhollarëve të Shqipërisë