Pyetja:

A mbetet obligim agjërimi edhe për gruan shtatzënë apo ka ndonjë dispozitë lehtësuese në këtë rast?

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut të Lartësuar, përshëndetjet, lëvdatat të Dërguarit të Tij, Muhamedit ﷺ.

Gruaja shtatzënë, në parim është e obliguar të agjërojë, pos nëse ekziston frika për moszhvillim të foshnjës, atëherë e ndërpret agjërimin. Thënë ndryshe: Gruaja shtatzënë ngjan me personin e sëmurë në dispozitën e agjërimit për të; nëse e mundon agjërimi, nuk agjëron, e nëse nuk e mundon, agjëron. Gjegjësisht, për gruan shtatzënë, agjërimi kalon nëpër tri dispozita sheriatike:

1. I lejohet të mos agjërojë, nëse agjërimi e mundon dhe e lodh shumë.
2. I ndalohet të agjërojë, nëse ekziston frika e dëmtimit te saj apo të foshnjës për shkak të agjërimit.
3. Obligohet të agjërojë, nëse agjërimi nuk paraqet rrezik për të apo për foshnjën e saj, si dhe nuk e mundon dhe nuk e lodh shumë. Ndërsa, ditët e lëshuara nga Ramazani, i kompenzon me agjërim pas lindjes. Allahu e di më së miri.

Hoxhë dr. Rasim Haxha

Comments are closed.