Pyetja:

Netët e mëdha që janë në disa kalendare a lejohet t’i festojmë me ushqime të veçanta dhe ëmbëlsira si për shembull hallve e kështu me radhë, sikurse Nata e Kadrit dhe netë të tjera të përmendura në kalendar?

***

Përgjigjja:

Nuk ka asnjë argument që këtë e ka bërë Pejgamberi ﷺ apo shokët e tij. Netët e mëdha që njihen siç është nata e Kadrit që është e njohur shumë dhe ka argument për të që është natë e madhe dhe është përmendur edhe në Kuran edhe në hadithet e Pejgamberit ﷺ. Kjo dhe netë të tjera që janë përmendur në hadith, si i ka jetësuar Pejgamberi ﷺ? Ai i ka jetësuar ato me ibadete domethënë përmes adhurimeve e jo përmes ushqimit.

Nuk na është transmetuar diçka as nga Pejgamberi ﷺ dhe as nga shokët e tij se kur ka ndonjë natë të madhe duhet përgatitur diçka të veçantë nga ushqimet. Por Pejgamberi ﷺ shembull Natën e Kadrit e ka jetësuar me namaz, me lexim Kurani, me dhikër, i ka zgjuar familjen e tij prej gjumi dhe i ka thirrur me fal namaz nate. Dhe jo e kundërta të bëjë festë e me ushqime por e ka pritur me ibadet deri në mëngjes.

Saqë kanë thënë sahabët në 10 netët e fundit të Ramazanit (edhe këto llogariten netë të mëdha ngase kërkohet nata e Kadrit, sepse mund të jetë në natën e 27-të) faleshim deri në kohën e syfyrit, fillonte të zdritej saqë mendonim se do të na ikte syfyri.

Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të) kur e ka pyetur Pejgamberin ﷺ se çfarë të veprojmë nëse e presim natën e Kadrit, ai e ka udhëzuar të thotë një lutje: “O Allah! Ti je Falës, e do faljen, andaj më fal mua!”

Domethënë e ka nxitur në diçka të dobishme për të, faljen e Allahut e që është gjëja më e rëndësishmë për besimtarin ngase nëse e arrijmë faljen e Allahut arrijmë çdo të mirë në dunja dhe ahiret.

Andaj meqenëse nuk kemi diçka të transmetuar nga Pejgamberi ﷺ nuk mund të themi se kjo është nga feja. Ndërsa ajo që është transmetuar nga Pejgamberi ﷺ për natën e Kadrit është të bëjmë ibadet sa më shumë: namaz, lutje, istigfar, dhikër, lexim Kurani e kështu me radhë dhe jo të merremi me çështje të dunjasë.

Kështu që pasi nuk e ka vepruar Pejgamberi ﷺ nuk duhet ta veprojmë as ne, ngase siç ka thënë ai ﷺ: “Kushdo që vepron diçka që nuk është prej fesë, ajo është e refuzuar.” [1]

Mundeni të merrni edhe 30 apo 50 netë gjatë vitit dhe t’i festoni me ushqime e ëmbëlsira por këto nuk ju afrojnë tek Allahu, madje shumica e personave që i festojnë kësisoj këto netë të mëdha nuk bëjnë namaz, nuk agjërojnë, as kurrë madje në xhami nuk shkojnë e kjo nuk i afron tek Allahu, Allahu ka thënë: “Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit vetëmse të më adhurojnë.” (Dharrijat: 18)

Dhe jo me i festu netë e mëdha, e me i ngrit lart me ushqime, jo duhet me ibadet. Çka të bën dobi festimi i një nate të madhe nëse ti nuk bën namaz dhe nuk e vendos kurrë kokën në sexhde? A me një natë e festim të tillë do të tregohesh musliman?

Jo, këta njerëz duhet ta kenë frikë Allahun sepse ajo vepër nuk iu pranohet atyre, nuk është afrim tek Zoti dhe atë nuk e ka vepruar Pejgamberi ﷺ, e çka nuk ka vepruar ai ﷺ nëse ne e bëjmë na refuzohet. Edhe po t’i festojmë kësisoj (me ushqime e ëmbëlsira) 50 netë ato në Ditën e Gjykimit do të jenë vetëm pluhur e hi.

Afrimi tek Allahu bëhet me ibadet, me namaz, Kuran, istigfar e dua, përmes agjërimit e ibadeteve të tjera që i ka përmendur Allahu në Kuran dhe Pejgamberi ﷺ.

Allahu e di më së miri.

Hoxhë Zejd Haziri

—————————

[1] Buhariu

Comments are closed.