Pyetja:

A ndryshon gusli për ditën e xhumasë nga gusli prej xhunubllëkut?

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut të Lartësuar, përshëndetjet, lëvdatat të Dërguarit të Tij Muhamedit ﷺ.

Gusli nënkupton pastrimin e tërë trupit. Gusli për shkak të xhunubllëkut është i obliguar (vaxhib) dhe bëhet pas ejakulimit, marrëdhënieve intime, sikurse këtyre situatave i bashkangjitet edhe përfundimi i ciklit menstrual dhe periudha e lehonisë te gratë. Gusli për ditën e xhumasë, është pastrimi i tërë trupit për shkak të ditës së xhuma, apo për shkak të namazit të xhumasë, për dispozitën e të cilit dijetarët dhanë dy mendime: Se ai është i obliguar (vaxhib) dhe mendimi i dytë se ai është sunet i fortë, por jo i obliguar. Ky i dyti është mendimi më i argumentuar dhe njëherit me të funksionalizohen të gjitha argumentet që flasin në lidhje me guslin e ditës së xhumasë. Për nga forma, gusli i xhumasë dhe gusli nga xhunubllëku nuk dallojnë. Ndërsa gusli, në përgjithësi ka dy forma të plotfuqishme: Forma mjaftuese dhe ajo e kompletuar sipas sunetit profetik. Forma mjaftuese realizohet me pastrimin e çdo pjese të trupit, duke bërë nijet paraprakisht se pastrohemi për gusël. Ndërsa forma sipas sunetit është përshkruar në hadithet që transmetohen nga gratë e të Dërguarit të Allahut ﷺ; Aishja dhe Mejmuneja (Allahu qoftë i kënaqur me to), ku i Dërguari i Allahut ﷺ, gjatë guslit vepronte si në vijim: (Pasi që bënte nijetin), pastronte duart tri herë. Me dorën e majtë i pastronte pjesët intime. Merrte abdes sikurse abdesi i rëndomtë, vetëm se këmbët nuk i pastronte. I hedhte ujë kokës tri herë dhe i fërkonte rrënjët e flokëve me gishtërinj. Pastronte tërë trupin; një herë pastronte pjesën e djathtë, pastaj të majtën. Largohej pak nga vendi ku binte uji dhe pastronte këmbët. Dhe në fund fshihej me peshqir.

Hoxhë dr. Rasim Haxha

Comments are closed.