Pyetje: A lejohet të bësh dua kundër një muslimani? Dmth duke u lutur që t’ i shpërblehet(kthehet) në të njejten mënyrë, një e keqe apo padrejtësi që të ka bërë dhe a futet kjo tek mallkimi?
Përgjigje: Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botërave.
Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të Dërguarin e Tij.
– Nëse një musliman të ka bërë padrejtësi ose të ka bërë keq, ti ke të drejtë të bësh dua (lutje) ndaj tij në masën e padrejtësisë dhe keqbërjes së tij; pra, vetëm në atë masë sa jeni dëmtuar ju, aspak më tepër.
Allahu i Lartësuar thotë për këtë:
{وَإِنْ عَاقَبْتُمْ فَعَاقِبُوا بِمِثْلِ مَا عُوقِبْتُمْ بِهِ وَلَئِنْ صَبَرْتُمْ لَهُوَ خَيْرٌ لِلصَّابِرِينَ}
“Nëse zgjidhni të ndëshkoni (sipas ligjit), atëherë bėjeni po në atë masë sa jeni dëmtuar ju! E nëse duroni (dhe falni), pa dyshim që kjo është më e mira për durimtarët.” [En-Nehl: 126]
● E nëse bën durim ndaj padrejtësisë dhe dëmit të tij dhe e falni për padrejtësitë që të ka bërë, kjo është më e mirë dhe shpërblimi që gjendet tek Zoti është shumë më i mirë:
{وجَزَ ۤؤُا۟ سَیِّئَةࣲ سَیِّئَة مِّثۡلُهَاۖ فَمَنۡ عَفَا وَأَصۡلَحَ فَأَجۡرُهُۥ عَلَى ٱللَّهِۚ إِنَّهُۥ لَا یُحِبُّ ٱلظَّـٰلِمِینَ}
“Ndëshkimi i së keqes (lejohet të) bëhet me një të keqe në të njëjtën masë. Megjithatë, kush fal e përmirëson, shpërblimin e ka tek Allahu. Vërtet, Ai nuk i do të padrejtët.” [Shura: 40].
– Lutja që ti bën ndaj një personi që të ka bërë padrejtësi ose të ka bërë keq, vetëm në atë masë sa jeni dëmtuar ju, nuk futet tek mallkimi, përderisa nuk e keni mallkuar në lutje.
Allahu e di më së miri!
Përgjigje nga Adelina Kuçana.