Nemime do të thotë: bartja e fjalëve në mesin e njerëzve për t’i përçarë/ndarë ata, për të shtuar urrejtje mes tyre. Shembull: të shkojë personi tek tjetri e t’i thotë: “Filani ka thënë për ty kështu…” Pastaj të shkojë tek ai e t’i thotë për të: “Filani tha për ty kështu…” Për nemimen ka dënim të madh. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Nuk hyn në xhenet el katat (ai që është nemam, pra që bartë fjalë mes njerëzve për të futur urrejtje mes tyre).” Po ashtu ai salAllahu alejhi ue selem ka treguar se një prej shkaqeve për të cilat njeriu dënohet në varr është dhe bartja e fjalëve. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem kur ka kaluar afër dy varreve ka treguar se njëri i vdekur aty po dënohet ngaqë nuk ishte ruajtur nga urina dhe se tjetri kishte bërë nemime.
Nemime është më e rëndë se gibeti (përgojimi), sepse në të ka përgojim dhe ka diçka shtesë: qëllim të keq, duke nxitur urrejtje e përçarje mes njerëzve. Gjynahu i nemimes është më i madh sesa i gibetit. Ajo është prej mëkateve të mëdha. Dijetarët kanë thënë: “Shkatërrimin që bën ai i cili bart fjalë brenda një dite, nuk e bën magjistari për një vit.” Pra, ai që bën nemime bën shkatërrime në tokë ende më shumë sesa magjistari, e ne e dimë se qëllimi i kryesor i magjisë është ndarja e njerëzve mes vete, apo futja e.urrejtjes mes tyre.
Nëse dikush pyet: “Po nëse është e kundërta, të shkojë personi te një person tjetër e të flasë mirë për dikë për të futur dashuri mes tyre?” Për këtë in shaa Allah ka shpërblim. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Vepra më e mirë është ta gëzosh vëllain tënd muslman”, me çfarëdo forme që e bën. Nëse kjo është një formë që personi e ka zgjedhur për ta gëzuar vëllain e tij, duke thënë: “Filani apo të tjerët po flasin mirë për ty!”, atëherë ka shpërblim për këtë. Po ashtu, nëse dikush ka dëgjuar fjalë të këqija për dikë dhe ka bindje të keqe për të, dhe ti shkon i flet mirë për të apo i thua “të ka bërë selam”, për t’ia ndërruar atë bindje të keqe, kjo është gjë e mirë. Në këtë rast lejohet edhe gënjeshtra, nëse është fjala për t’i pajtuar, edhe nëse nuk i ka çuar selam në të vërtetë, mund t’i thotë “të ka bërë selam”, në mënyrë që ai ta përmirësojë mendimin për të.
Hoxhë Lulzim Perçuku