Pyetja:
Deshta të pyes se a duhet me thënë ezanin femrat kur t’ia nisin me u fal apo me thënë vetëm ikametin
Selam alejkum. Jam një motër muslimane. Kam 5 muaj që jam mbuluar. Deshta të pyes se a duhet me thënë ezanin femrat kur t’ia nisin me u fal apo me thënë vetëm ikametin. Ju lutem për një sqarim?
Përgjigje:
Dijetarët nuk janë të një mendimi sa i përket punës se a duhet gruaja ta thërret ezanin dhe ikametin kur ajo falet me gra.
Kanë thënë disa prej tyre se nuk kanë nevoj gratë ta thërrasin ezanin e as ikametin. Bazuar në hadithin të cilin trasnmeton Bejhekiu nga Abdullah b.Umeri se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Nuk ka ezan e as ikamet për gra“. Sepse ezani në esencë është një njoftim dhe një lajmërim, keshtu që një gjë e tillë nuk i takon gruas. Gjithashtu në ezan preferohet ngritja e zërit, ndërsa tek gruaja një gjë e tillë nuk lejohet. Ajo që nuk është e obliguar me ezan, nuk është e obliguar as me ikamet.
Kanë thënë Shafiu dhe Is’haku se nëse gratë thërrasin ezan dhe ikamet, nuk ka diçka të keqe. Po ashtu është trasnmetuar nga Ahmedi se nëse e bëjnë gratë një gjë të tillë nuk ka diçka të keqe. Por edhe nëse nuk e bëjnë, është e lejuar.
Aishja thirrte ezanin dhe ikametin dhe po ashtu bëheshte imam i grave dhe qëndronte në mesin e tyre. ( Transmeton Bejhekiu).
Nga e tërë kjo që cekëm mund të themi se nuk ka diçka të keqe nëse gruaja e thërret ezanin apo ikametin pa marr parasysh a është vetëm apo me gra të tjera. Kjo më së miri është të bëhet në vete pa zë, apo me një zë shumë të ultë sa ta ndëgjojn shoqet e saja dhe mos të dëgjohet nga burrat e huaj. Ezani dhe ikameti është dhikër, përmendje e Allahut dhe nëse gruaja e bënë këtë është më mirë për të.
Ky është ndoshta mendimi më i saktë i dijetarëve. Por nëse gruaja e len ezanin dhe ikametin nuk është e urrejtur lënia e tyre sikur që është e urrejtur për meshkujt.
Ndërsa nëse gruaja falet në shtëpi me burrin e saj, burri është ai i cili e bënë ikametin sepse kjo është prej çështjeve që duhet ta bëjë burri e jo gruaja.
Allahu e di më së miri.