Prgjigja:
Së pari e lusim Allahun që të gjithë ata që janë të sëmurë prej myslimanëve, Allahu t’i shërojë me shërim të plotë, shërim pas të cilit nuk pason sëmundje! Njeriu, me çfarëdo sëmundje që është i diagnostikuar, qoftë kancer apo sëmundje tjetër e pashërueshme, nuk duhet ta humbasë shpresën në Allahun, që Ai ta shërojë, edhe pse mjekësia i thotë se është e pashërueshme. Për Allahun nuk ka diçka të madhe që Ai nuk ka forcë ta veprojë. Ka njerëz të cilët me lejen e Allahut janë shëruar prej kësaj sëmundje, edhe pse mjeku u ka thënë se kanë një muaj jetë, apo dy, apo tre etj. Ata i janë lutur sinqerisht e me zemër Allahut dhe Ai i ka shëruar. Andaj nuk duhet humbur shpresën për këtë. Allahu është në mendimin e njeriut ashtu siç e mendon ai Atë. Nëse ai ka mendim pozitiv/të mirë se Ai do ta shërojë, atëherë do të marrë përgjigje prej Tij dhe Ai do ta shërojë. Në anën tjetër, gjithashtu duhet pasur mendim të mirë se nëse nuk e shëron prej kësaj sëmundje dhe vdes, atëherë të shpresojë që Ai t’ia falë mëkatet me këtë sëmundje dhe ta mëshirojë. Mos ta humbasin shpresën në Mëshirën dhe Faljen e Allahut. Sëmundja e kancerit është prej sëmundjeve të rënda. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka treguar se ata që vdesin prej sëmundjeve të rënda, in shaa Allah janë dëshmorë tek Allahu. Ky është shpërblim i madh! Dëshmorit i falen mëkatet. Të shpresojnë se kjo sëmundje është shkak për shlyerjen e mëkateve të kaluara dhe ngritjen në xhenet. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem kur ka qenë me sëmundjen prej të cilës ka vdekur, në fund të jetës së tij ka pasur temperaturë sa dyfishi i njeriut normal (i cili nuk është Pejgamber). Tregon njëri nga sahabët se kur e ka vendosur dorën mbi rrobën e të Dërguarit salAllahu alejhi ue selem, aq nxehtë ka qenë saqë nuk ka mundur ta mbajë atë. Ai salAllahu alejhi ue selem ka thënë se Pejgamberët kështu Allahu i sprovon, u jep ethe e temperaturë sa dyfishi i njerëzve normal, mirëpo me këtë Allahu ua ngrit shkallët në xhenet. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka treguar se temperatura me të cilën goditet njeriu në këtë botë ose në momentet e fundit të jetës, është hisja e tij që ka pasur të dënohet në zjarr të xhehenemit, e Allahu ia përshpejton dënimin (sa është) në këtë dunja, ia shlyen mëkatet dhe ai del para Tij i pastër pa mëkate.
Hoxhë Lulzim Perçuku