Pyetja: Dua ta di për një njeri që e kundërshton Kuranin dhe për xhaminë ka urrejtje aq të madhe, saqë dëshiron që çdo xhami ta prishë e të mos e lërë në këmbë. Ai shan me plot urrejtje të gjithë hoxhallarët në përgjithësi dhe hyn në kredi dhe riskun e fiton nga kasetat që i shet me këngë folklorike. Të gjitha këto që i përmenda i ka bërë babi im, i cili tani është në një gjendje shumë të vështirë financiare e psikike, me shumë probleme, saqë i ka humbur dëshira edhe për të jetuar. Babi im tani është i sëmurë nga zorra e trashë në një gjendje tepër të vështirë. Ai çdo ditë e më tepër është duke u zhytur në kufër.
Dhe si të gjithë të papunët e tjerë, për të mbajtur familjen është detyruar të dalë në rrugë e të merret me tregti, mirëpo policia e ngacmon vazhdimisht dhe babai im është tepër nervoz. Policët nuk e kanë lënë të punojë dhe ai është kacafytur me ta edhe ata e kanë marrë me dhunë, e kanë lidhur dhe kanë përdorur forcë. Kur erdhi në shtëpi, unë isha duke falur drekën dhe ai ishte mërzitur shumë përse nuk po e lënë të punojë.
Mirëpo në mbrëmje, gjersa isha duke fjetur, elhamdulilah, e pashë një ëndërr, e cila ma nxori gjumin. Ai ishte zgjuar dhe kishte dalë nga shtëpia në mes të natës. I vesha rrobat shpejt e shpejt dhe e ndoqa se çfarë bënte dhe me ndihmën e Allahut arrita ta zë. Ishte tepër i mërzitur dhe i thashë të kthehej në shtëpi. Me asnjë anëtar të familjes nuk flet. Më tregoni si ta këshilloj që ta ndaloj nga kjo e keqe. E lus Allahun që ta udhëzojë atë!
Ju lutem më ndihmoni! Allahu ju shpërbleftë!
Përgjigjja: Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Koha në të cilën jetojmë është e mbushur me probleme dhe vështirësi, ndërsa problemet e krizës ekonomike, papunësia dhe varfëria janë ato që më së shumti trokasin në dyert e njerëzve në këtë periudhë. Fatkeqësisht ata njerëz që e kanë humbur besimin ose e kanë atë të luhatur, ballafaqohen më me vështirësi me këto probleme. Çfarë është edhe më e keqe, ka edhe të atillë që për shkak të problemeve të këtilla fajësojnë të tjerët ose fajësojnë edhe Allahun e Lartësuar.
Në lidhje me problemin e prindit tuaj, mendojmë se ai ballafaqohet me një krizë psikike, prandaj duhet të keni kujdes që ta lironi nga ngarkesat prej të cilave vuan. Ne nuk e kemi parasysh moshën tuaj dhe a është dikush në familje që mund ta ndihmojë atij në sigurimin e nevojave esenciale për jetesë, por duhet të ndërmerrni një hap që ai mos ta ketë preokupim personal tërë këtë, pasi ngarkesa e tepërt mund t`i shkaktojë depresion të theksuar, e cila pastaj mund të kalojë edhe në sëmundje psikike. Duke pasur parasysh këtë, themi se këshilla jonë e parë është që ju të kërkoni forma të tjera të sigurimit të nevojave jetësore duke larguar një pjesë të barrës nga ai. Nëse ai lirohet nga kjo, atëherë do të jetë më i qetë dhe besojmë se do të mund t’i përmirësohet gjendja.
Gjithashtu personat që ballafaqohen me probleme të këtilla dhe që nga kohërat e hershme të tyre kanë shprehur armiqësi dhe arrogancë ndaj Islamit, nëse dëshirojmë t’i ftojmë në fe, atëherë duhet të kemi shumë kujdes se si u qasemi atyre. Është e mundur që nëse nuk ia qëllojmë qasjes, në vend se të ndikojmë pozitivisht, mund të bëjmë të kundërtën.
Prandaj, vëlla i nderuar, ju këshillojmë që të silleni mirë me prindin tuaj dhe mos tentoni që në çdo gabim apo tejkalim që ai bën në fe, ju t’ia sqaroni se këtu ke gabuar dhe këtu ke bërë kufër, e kështu me radhë, pasi reagimi yt në këtë formë do ta shtyjë atë që të jetë edhe më arrogant dhe më i ashpër në ato gjëra. Mundohuni që të jeni logjik dhe mos filloni t’i flisni për fe atij, vetëm atëherë kur jeni i bindur se nuk do t`ju kundërshtojë dhe në atë çështje që ai do të pajtohet plotësisht me ju. Kështu ju mundohuni të ndikoni tek ai nga këndvështrimet e përbashkëta që ai mund t’i ketë me fenë, pastaj me kalimin e kohës mundohuni të tërhiqni paralele nga gjërat me të cilat ai është pajtuar me ju.
Nuk kemi kohë të zgjerohemi më shumë në këtë përgjigje, por në fund e lusim Allahun e Lartësuar t’ju japë sukses me prindin tuaj, që ai t`i tejkalojë problemet me të cilat ballafaqohet dhe të përmirësohet edhe besimi i tij. Amin!
Alaudin Abazi