Pyetje: Një imam në namazin e Ikindisë harroi dhe fali tre rekate, pastaj dha selam. Ne i thamë qe ke falur tre rekate dhe t’a plotësonim atë me një rekat tjetër, pastaj të bënim sehvi sexhde. Ai na tha: Do t’a falim nga e para sepse është prishur si namaz, dhe për këtë ka argumente nga imami Ebu Hanife -Allahu e mëshiroftë. Kështu ai fali 4 rekate të tjera, ndërsa xhemati u nda në dy mendime; disa e ndoqën dhe disa falën vetëm një rekat.
Si qëndron kjo çështje në medhhebin Hanefi?
Përgjigja:
Mehhebi Hanefi thotë: Ai që nuk e ka zakon të harrojë në namaz, nëse harron e përsërit namazin. Ndërsa ai që harron shpesh, nuk e përsërit por e plotëson mbi atë që ka harruar.
Ata në lidhje me këtë çështje argumentohen me një hadith, dhe ja çfarë thotë për të imami Es-Serakhsij (dijetar i njohur Hanefi i vdekur në vitin 483 H) (Allahu e mëshiroftë):
Nëse dikush harron në namaz dhe nuk e di në ka falur tre apo katër rekate, dhe kjo është hera e parë që gabon, e përsërit namazin për shkak të hadithit të Ibn Omerit -radiallahu anhu- ku Profeti -alejhi selam- ka thënë: “Nëse dikush harron në namazin e tij dhe nuk di në ka falur tre apo katër rekate, le t’a përsërisë atë.”
Përsëritja i heq dyshimin ndërsa vazhdimi pas dyshimit e lë në dyshim. Të rezervohesh në adhurime për t’i kryer ato në formën më të mirë është detyrë, ndërsa kur harresa ndodh shpesh atëherë plotëson me një rekat. Nëse do t’a urdhërojmë për të përsëritur ai do të harrojë përsëri.” Shih librin e autorit me titull ‘El-Mebsut’ 1/219.
Ky është sqarimi që i bëjnë Hanefitë. Ndërsa fjalën e imamit tuaj [është prishur namazi], nuk e kam parë të përmendur në fjalët e dijetarit dhe mendoj se imami juaj e ka thënë atë gabimisht.
Ajo që na intereson më tepër në lidhje me këtë çështje është argumenti i tyre, dhe ja çfarë thotë në lidhje me të imam Ez-Zejlaiu (dijetar tjetër i njohur Hanefi dhe që e njeh mirë fushën e hadithit, i vdekur në vitin 762 H) (Allahu e mëshiroftë!).
Ai thotë se hadithi është i panjohur, mirëpo pastaj sqaron se ai gjykim është i Ibn Omerit (radiallahu anhu) dhe i disa tabiinëve -Allahu i mëshiroftë. Shih librin e autorit me titull ‘Nasb Er-Raje’ 2/173.
Ky gjykim është gjykim i një sahabiu, ndërsa ajo që njihet nga Profeti -alejhi selam- nuk e përmban këtë veprim por përmban plotësimin; ose duke ndërtuar mbi atë që anon më shumë në lidhje me numrin e rekateve kur arrin të anosh nga njëri numër, ose duke ndërtuar mbi më të paktën kur nuk arrin të anosh nga asnjëri prej tyre. Ky është gjithashtu dhe mendimi i dijetarëve të medhhebeve të tjera përveç Hanefive.
Përfundim: Për mendimin tim imami duhet t’a kishte plotësuar namazin mbi atë që ka harruar dhe jo t’a përsëriste namazin, sepse mbi të gjitha ky është veprimi profetik. Ndërsa ju më mirë t’a kishit ndjekur atë edhe pse ai veprim është larg sunetit, sepse imami ndiqet edhe nëse gabon dhe gabimi i llogaritet atij dhe jo juve, siç e ndoqi Ibn Mesudi Uthmanin (radiallahu anhuma) në një çështje tjetër që ka lidhje gjithashtu me namazin. Allahu e di më së miri!
Dr. Abdullah Nabolli – https://lidhjaehoxhallareve.com/