Pyetje: Më duket se kam vesvese, dhe shpesh herë, kur dëgjoj se dikush është sëmurë, frigohem dhe më duket se edhe mua do të më ndodhë e njëjta gjë. Jam fryer dhe më kanë bërë rukje, më kanë fryer mjalt dhe vaj ulliri. Një herë jam shumë mirë dhe i qetë, por nganjëherë, kur më kap, bëhem shumë keq. Më duket se zemra më shtrëngon dhe më dhemb shumë koka, saqë më duket se nuk kuptoj asgjë, sikur më është bllokuar.

A ka mundësi ndonjë këshillë se si mund ta largohem nga kjo? Fali namazin dhe çdo natë lexoj Kur’an, dhe më largohet, por ka raste që përsëri më ndodh. Dëshiroj të di nëse kjo mund të jetë sprovë prej Allahut, sepse e di që Allahu ata që i do i sprovon, apo si? In shaa Allah, pyetja është e qartë.

Pergjigje:
Falenderimi i takon Allahut. Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të Dërguarin e Allahut.

Nga gjërat që të ndihmojnë në largimin e këtyre vesveseve janë:

E para: Bindja e plotë se muslimanit nuk i ndodh vetëm se ajo që e ka përcaktuar Allahu, ashtu siç na mëson Allahu në Kuran:

“Thuaj: “Ne nuk na godet asgjë tjetër, përveç asaj që na ka caktuar All-llahu; Ai është Ndihmëtar yni. Prandaj, vetëm All-llahut le t’i mbështeten besimtarët.” [Teubeh: 51]

E dyta: Bindja se shejtani nuk ka asnjë fuqi ndaj besimtarëve që i janë mbështetur Allahut:

“Vërtet, ai (shejtani) nuk ka asnjë fuqi kundër atyre që besuan dhe i janë mbështetur Zotit të tyre.” [Nahl: 99]

Këto të dyja do të japin qetësi shpirtërore, që është pjesa më e rëndësishme në largimin e vesveseve.

E treta: Në momentin që ndjen ngacmim, kërko mbrojtje tek Allahu për largimin e këtyre ngacmimeve, vesveseve, ashtu siç thotë Allahu:

“E nëse ty të ngacmon ndonjë ngacmim prej shejtanit, kërko mbrojtje në All-llahun, vërtet Ai është Dëgjuesi, i Dijshmi!” [Fussilat 36]

E katërta: Shtimi i përmendjes së Allahut, sepse përmendja e Allahut e largon shejtanin dhe ngacmimet e tij. Pikërisht për këtë, Allahu na sqaron në suren Felek duke thënë:

“Prej së keqes së përshpëritësit që fshihet, i cili pëshpërit në zemrat e njerëzve.”

Këto ajete, në përgjithësi flasin rreth intrigave dhe cytjeve të shejtanit, i cili mbjell huti e dyshime në zemrat e njerëzve.

Fjala “El-Uesuas” këtu ka qëllim shejtanin, ndërsa fjala “juesuisu (vesvese)” nënkupton pëshpëritjen, fjalën e folur me zë shumë të ulët, kurse fjala “El-Hannas” do të thotë diçka që fshihet dhe humb shpejt, që po ashtu ka për qëllim shejtanin, i cili në momentet kur besimtari e përmend Allahun, fshihet dhe largohet me të shpejtë. Kur besimtari harron dhe nuk e përmend Allahun, ai kthehet dhe i pëshpërit njeriut në mendjen dhe zemrën e tij mendime të dëmshme.

Allahu të dhuroftë qetësi shpirtërore dhe të ruajë nga çdo e keqe!

Përgjigje nga Adelina Kuçana