Pyetja:
I nderuari shejh, ne nuk kemi mundësi të dëgjojmë ligjëratën në këtë takim për shkak të zhurmës së fëmijëve. Madje, një vëlla na tregoi se numri i fëmijëve në këtë takim ishte njëzetë.
Përgjigja:
Nëse fëmijët u shkaktojnë zhurmë të pranishmëve, atëherë prindërve të tyre nuk u lejohet t’i sjellin në xhami. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka ndaluar afrimin në xhami të atij që ka konsumuar qepë, duke sqaruar se kjo shkakton dëm, dhe ka thënë:
“Melekët dëmtohen (bezdisen) nga ajo që i dëmton njerëzit.”
Prandaj, çdo gjë që i shqetëson falësit e namazit nuk lejohet të sillet në xhami.
Një çështje tjetër lidhet me pajisjet Motorola (atëkohë pajisje komunikimi përmes mesazheve), të cilat lëshonin një zë të lartë që shqetësonte të pranishmit. Madje, disa njerëzve u binte alarmi i këtyre pajisjeve gjatë sexhdes dhe nuk mund ta ndalonin menjëherë, duke shkaktuar zhurmë.
Ne u themi atyre që posedojnë pajisje të tilla se, përderisa ato kanë një sustë për fikje, duhet ta shtypin para hyrjes në namaz, në mënyrë që njerëzit të jenë të qetë dhe të mos shqetësohen nga zhurma e tyre.
Shejh Ibën Uthejmin, Allahu e mëshiroftë!
| el-Lika esh-Shehri, 37/33 |
Përktheu: Besim Gjelaj