Ai që nuk e agjëron Ramazanin me qëllim dhe pa pasur ndonjë pengesë të pranueshme në ligjin e fesë, padyshim që ka bërë njërin prej mëkateve më të mëdha. Sipas fjalës së dijetarëve të fesë, duke mos agjëruar Ramazanin, ai nuk është bërë mohues, por ka detyrë të bëjë teubeh dhe të agjërojë kaza Ramazanin e lënë. Ka shumë argumente që tregojnë se lënia e agjërimit nuk konsiderohet mohim, kur njeriu nuk e mohon se agjërimi i Ramazanit është detyrë, por e ka lënë agjërimin nga shkujdesja dhe përtacia.

Ky njeri, nëse e vonon agjërimin kaza deri në Ramazanin e ardhshëm, ashtu siç u shpjegua në pyetje, pra kur e ka lënë agjërimin pa pasur ndonjë pengesë të pranueshme në ligjin e fesë, krahas agjërimit kaza, është i detyruar të ushqejë edhe një të varfër për çdo ditë agjërimi. Në këtë rregull përfshihet edhe ai që nuk jep zeqatin dhe nuk kryen haxhin, megjithëse i ka mundësitë, por nuk konsiderohet mohues as për mosdhënien e zeqatit e as për moskryerjen e haxhit, me kusht që të mos e mohojë se zeqati dhe haxhi janë detyra që duhen plotësuar.

Ky njeri ka detyrë të japë zeqatin për të gjitha vitet që nuk e ka dhënë. Gjithashtu, ai duhet të kryejë haxhin dhe të bëjë teubeh të sinqertë për vonesën e kryerjes së haxhit. Të gjitha argumentet e fesë tregojnë se kush nuk e jep zeqatin dhe nuk kryen haxhin, nuk konsiderohet mohues, kur nuk e mohon se ato janë detyra që duhen plotësuar. Ndër këto argumente sjellim perifrazimin e hadithit, ku tregohet se ai që nuk jep zeqatin, ditën e gjykimit do të ndëshkohet me pasurinë e tij dhe pastaj rruga e tij do të shqyrtohet: ose do të shkojë në xhenet, ose do të hyjë në zjarr.

Shejh Bin Bazi