Pyetje: Hoxhë i nderuar! E di dënimin dhe rrezikun e kamatës, mirëpo jemi një familje që gati 23 vite jemi në një shtëpi me mixhën tim dhe të shtëpisë po duan me marrë kredi, mirëpo unë jam duke ju thënë se është haram, mirëpo po më thonë se s’kemi prej kujt me marrë borxh. Më ndihmoni me përgjigjen tuaj sa më shpejt. Allahu ju shpërbleftë!

Përgjigje: ​Vëlla i dashur, kamata është një prej mëkateve më të mëdha në Islam. Thotë Allahu (azzevexhel): “O ju që keni besuar, kini frikë Allahun dhe, nëse jeni besimtarë të sinqertë, hiqni dorë prej asaj që ka mbetur nga kamata. E në qoftë se nuk e bëni këtë (nuk hiqni dorë nga kamata), atëherë binduni se jeni në luftë me Allahun dhe të Dërguarin e Tij.” (Bekare, 278-279)

​Kështu që, nuk lejohet të marrë myslimani kredi, qoftë për të ndërtuar shtëpi apo për ndonjë arsye tjetër. I vetmi rast që lejohet të shfrytëzohet kjo mundësi është nëse rrezikohet jeta e tij. Thotë Allahu (azzevexhel): “Ai ju sqaroi juve se çka është e ndaluar për ju, përveç kur jeni të detyruar (edhe harami është hallall).” (En’am, 119)

​E detyrim është: Arritja e njeriut deri në atë shkallë, saqë nëse nuk e shfrytëzon atë që është haram, rrezikohet apo shkatërrohet jeta e tij. Në këtë rast edhe harami i lejohet atij. (El-Menthur fil-Kavaid, 2/319) ⚖️

​Andaj, nëse jeni ngushtë në një shtëpi dhe keni bërë sabër në të me vite, më mirë dhe më lehtë është të qëndroni dhe të bëni sabër në të edhe më tutje, sesa të ndërtoni shtëpi të re me para të ndaluara dhe të kaloni gjithë jetën në të.

​Nuk ka hajr prej shtëpisë e cila ndërtohet me kamatë. Thotë Allahu (azzevexhel): “Allahu e zhduk kamatën dhe e shton lëmoshën. Allahu nuk e do asnjë besëpremë e mëkatar.” (Bekare, 276)

​Gjithë rehatia dhe lumturia është në dorën e Allahut dhe Ai mund t’ju japë lumturi edhe nëse jeni ngushtë e bëni sabër, dhe mund ta largojë atë prej jush edhe nëse i keni kushtet më të mira në këtë botë. Sa prej njerëzve kanë kushte luksoze në këtë jetë, ndërsa shpirtrat e tyre vuajnë për çdo ditë prej brengave dhe problemeve të kësaj bote?

​Andaj, kërkoni dhe luteni Allahun që Ai ta lehtësojë gjendjen tuaj dhe t’ju furnizojë me hallall.

​Allahu e di më së miri.

Hoxhë Omer Bajrami