Pyetje: Sa Emra të bukur ka Allahu?


Përgjigje: Është e njohur te ne se Allahu ka 99 Emra dhe këtë e mësojmë nga hadithi të cilin e transmeton Imam Buhariu në Sahihun e tij, se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

“Allahu ka 99 Emra, njëqind pa një, ai që i mëson hyn në Xhenet.” (nr. 2736)

Ai që i mëson, i mëson përmendsh, ua di kuptimin dhe i lutet Allahut me to, ai njeri hyn në Xhenet.

Në shikim të parë ky hadith na mëson se Allahu paska vetëm nëntëdhjetë e nëntë Emra. A thua kjo është e saktë?!

Jo! Kjo nuk është e saktë. Sepse Emrat e Allahut janë aq shumë saqë nuk mund ta rrumbullakësojë askush numrin e tyre, pasi që Allahu ka edhe Emra të cilët i ka mbajtur të fshehur për Veten e Tij dhe këta Emra nuk i di askush, as melekët që qëndrojnë afër Allahut, e as të Dërguarit e Tij që kanë komunikuar me Madhërinë e Tij.

Këtë na e dëshmon hadithi i cili na tregon një lutje të Profetit Muhammed, lavdi dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, ku ai mes tjerash thotë:

“Të lutem me çdo Emër Tëndin me të cilin ke emëruar Veten, ose ia ke mësuar ndonjë krijese Tënde, ose e ke zbritur në Librin Tënd, ose e ke rezervuar në ‘Diturinë e Fshehur’ (ilmul-gajb) Tënde.”
(Ahmedi; 1/391 dhe të tjerët)

Kështu që, nga kjo lutje fisnike e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, na u bë e qartë se Emrat e Allahut, për nga njohja e tyre, ndahen në tre kategori:

  1. Emrat që i di vetëm Allahu dhe askujt nuk ia ka bërë të mundshme t’i dijë këta Emra.
  2. Emrat që i dinë vetëm melekët apo ndonjë krijesë tjetër e Tij, por që nuk i ka regjistruar në Librat e shpallura.
  3. Emrat që i ka zbritur në librat e shpallura dhe ua ka mësuar njerëzve.

Ky hadith na mëson se hadithi i mësipërm nuk përcakton numrin e Emrave të Allahut, porse përshkruan fitimin e atij që i mëson këta nëntëdhjetë e nëntë Emra – ai njeri fiton hyrjen në Xhenet. Është përshkrim dhe nuk është lajmërim.

Kjo i ngjan fjalisë: “Filani ka njëqind punëtorë në ahurin e tij”, dhe kjo nuk do të thotë se nuk ka edhe më shumë apo më pak punëtorë që punojnë në fushën e tij.
(Shiko: Bedaiul-Fevaid, Ibën Kajim el-Xheuzije, 1/166-167 dhe El-Fetava, Ibën Tejmije, 6/379-382)

Pyetje: Dardan Sinanaj
Përgjigje: Hoxhë Bekir Halimi