Pyetje: A e prish agjërimin përgojimi i njerëzve?

Shejkh bin Baz: Përgojimi i njerëzve (gibeti) i cili është: “Përmendja e vëllait tënd me atë çka ai e urren”, nuk e prish agjërimin, porse kjo është gjynah, për të cilin Allahu – i Plotfuqishëm dhe  i Lartësuar – ka thënë:

وَلَا يَغْتَب بَّعْضُكُم بَعْضًا
“Dhe mos e përgojoni njëri tjetrin.” [el-Huxhurat, 12]

Po ashtu edhe thashethemet, sharjet, fyerjet dhe gënjeshtra, të gjitha këto nuk e prishin agjërimin,  porse ato janë gjynahe prej të cilave ne obligohemi që të ruhemi dhe të distancohemi, qoftë agjërueshëm ose jo.

Këto (vepra) e dëmtojnë agjërimin dhe ia pakësojnë atij shpërblimin, duke u bazuar në fjalën e Pejgamberit – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – ku thotë:

مَنْ لَمْ يَدَعْ قَوْلَ الزُّورِ وَالْعَمَلَ بِهِ فَلَيْسَ لِلَّهِ حَاجَةٌ فِي أَنْ يَدَعَ طَعَامَهُ وَشَرَابَهُ

“Kush nuk i  lë fjalët e rrejshme dhe punën me to, si dhe veprat e injorancës, vërtetë që Allahu nuk ka nevojë për të që ky të lërë ushqimin dhe pijen e tij.”
[E transmeton Bukhariu me nr 1903 nga Ebu Hurajrah]

Dhe bazuar në fjalën e Pejgamberit – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – (ku thotë):

الصِّيَامُ جُنَّةٌ فإذا كان يَوْمُ  صَوْمِ أحَدِكُم فَلَا يَرْفُثْ وَلَا يَصْخَبْ  فإنْ سبَّهُ أحدٌ أو قَاتَلَهُ أَوْ فَلْيَقُلْ : إِنِّي صَائِمٌ

“Agjërimi është mburojë (prej zjarrit), ndaj kur të jetë dita e agjërimit të dikujt prej jush, le të mos thotë fjalë të pista e të pahijshme dhe të mos bërtasë dhe as mos ulërasë. E nëse e ofendon atë dikush dhe e shan, atëherë le të thotë: Unë jam agjërueshëm.”
[Bukhariu me nr 1894 dhe Muslimi me nr 1151, të dy e përcjellin nga Ebu Hurajrah – Allahu qoftë i kënaqur me të]

Dhe hadithet me këtë kuptim janë të shumta.

 

Shejkh AbdulAziz ibn Baz
📗Burimi:

Broshura me titull “Esh'jau la tufsidu es-Saum (Gjëra që nuk e prishin agjërimin)”

Përktheu: Bilal Bilali