Pyetja:
Ekzistojnë disa njerëz, të cilët shërojnë me anë të të ashtuquajturës “mjekësi popullore”, sipas tyre, kur shkova te njëri nga ata, më tha: “Më shkruaj emrin tënd, emrin e nënës tënde dhe kthehu nesër që ta marrësh përgjigjen”. Më pas, kur dikush shkon për të marrë përgjigjen ata i thonë: “Ti je i sëmurë nga kjo sëmundje dhe kura jote është kështu…” Dikush nga ata thotë se e përdor fjalën e Allahut gjatë shërimit. Ç’mendim keni në lidhje me këta persona dhe çfarë gjykimi ka shkuarja tek ta?
Përgjigje:
Kush bën vepra të tilla tregon se ai bashkëpunon me xhinët dhe pretendon njohjen e të fshehtave, ndaj shkuarja tek ai nuk lejohet, as ta pyesësh, e aq më pak të kurohesh prej tij, sepse Profeti, salallahu alejhi ue sel-lem, për këtë kategori njerëzish ka thënë:
“Kush shkon te parashikuesi i së ardhmes dhe e pyet për ndonjë gjë, atij besimtari nuk i pranohet namazi për 40 ditë.”
Transmeton Muslimi në Sahihun e tij. Është saktësuar në shumë hadithe se Profeti, salallahu alejhi ue sel-lem, e ka ndaluar shkuarjen te magjistarët, fallxhorët, parashikuesit e së ardhmes dhe ka ndaluar të pyeten ata dhe të besohen fjalët e tyre, duke thënë:
“Kush shkon tek fallxhori dhe i beson fjalëve të tij, ai e ka mohuar atë që i është zbritur Muhamedit.”
Nëse dikush pretendon njohjen e së fshehtës, qoftë nëpërmjet hedhjes së gurëve, shkrimit të vijave në tokë a duke pyetur të sëmurin për emrin e tij dhe emrin e nënës, ose të ndonjë të afërmi tjetër; të gjitha këto janë fakte që vërtetojnë se ky person është fallxhor dhe pretendues i njohjes së parashikimit të së ardhmes, vepra rreth të cilave Profeti, salallahu alejhi ue sel-lem, na ka ndaluar që të pyesim apo t’u besojmë fjalëve të këtyre njerëzve.
Pra, është detyrë të ruhemi prej tyre, të mos i pyesim ata, të mos kurohemi tek ta, edhe nëse pretendojnë se shërojnë me anë të Kuranit, sepse sikurse dihet, të humburit dhe njerëzit e së kotës e kanë natyrë të tyren mashtrimin dhe shtirjen, për këtë arsye besimi në fjalët e tyre nuk lejohet.
Çdokush që njeh ndonjë njeri të tillë, e ka për detyrë ta denoncojë te gjykatësit, prijësit dhe te qendrat e organizatës që urdhëron për të mirë dhe ndalon nga të këqijat, në mënyrë që ata të ekzekutojnë mbi këta njerëz gjykimin e Allahut. Vetëm në këtë mënyrë muslimanët do të shpëtojnë nga e keqja që vjen prej tyre dhe nga gllabërimi që ata u bëjnë pasurive të njerëzve, pa asnjë lloj të drejte.
Vetëm Allahut i kërkohet ndihmë, ue la haule ue la kuete ila bilah (Nuk ka forcë e as ndryshim pa lejen e Allahut).
Shejh Bin Bazi




