Pyetja: Jam një grua 47-vjeçare me sëmundje kronike, inflamacion në të gjithë trupin dhe dobësi fizike. Mjeku më ka këshilluar të shkoj në palestër. Unë frekuentoj një palestër vetëm për gra dhe ndjek ushtrime pilatesi(forcimin e trupit veçanërisht pjesës së korit/barkut),

Ndihem në faj që shkoj atje për shkak të muzikës që lëshohet. Nuk ndihem e motivuar të ushtrohem në shtëpi. I kam kërkuar stafit të ulë volumin e muzikës dhe ata e kanë bërë këtë. Tani, me kufje, mund ta dëgjoj telefonin tim dhe të dëgjoj Kuran gjatë ushtrimeve.

A është kjo e lejuar?

Muzika është pothuajse kudo dhe unë përpiqem ta shmang sa më shumë që mundem. Kam edhe dy fëmijë me aftësi të kufizuara të rënda për të cilët kujdesem dhe kam nevojë të jem e fortë për ta.

Përgjigjja

Falënderimi i plotë i takon Allahut, Zotit të botëve…

Lusim Allahun që t’ju japë shërim të plotë, pa lënë asnjë gjurmë sëmundjeje, t’ju ndihmojë në përkujdesjen ndaj fëmijëve tuaj dhe t’ju shpërblejë me shpërblim të madh për kujdesin dhe përkushtimin ndaj tyre.

Nëse keni nevojë të ushtroni posaçërisht në palestër dhe aty nuk ka ndonjë shkelje tjetër fetare, si përzierje e palejuar mes burrave dhe grave apo fotografim i personave që ushtrojnë, dhe ju keni bërë çfarë keni mundur për të kërkuar uljen e volumit të muzikës, ndërsa gjatë ushtrimeve përdorni kufje për të dëgjuar Kuran ose diçka të dobishme, atëherë shpresojmë se nuk ka mëkat për ju që ta frekuentoni atë palestër.

Megjithatë, më e preferuar për gruan është që ushtrimet fizike t’i kryejë në shtëpinë e saj, duke siguruar pajisje ushtrimi ose mjete të ngjashme, nëse kjo është e mundur.

Allahu e di më së miri.

 

Burimi: islamweb.net / Solli në gjuhën shqipe pergjigje.net