Pyetja: Është një biznes online që merret me rishitjen e biletave, veçanërisht për ngjarje sportive si futboll e basketboll, por gjithashtu edhe për koncerte. Kushdo që merret me këtë biznes, ka qasje më herët se të tjerët te biletat, duke i blerë ato më lirë dhe duke i rishitur më shtrenjtë në faqet e tjera të internetit, a lejohet apo s’lejohet kjo.?
Përgjigja:
Fillimisht, sa u përket koncerteve, kjo nuk lejohet. Mjafton të shohim mënyrën se si organizohen koncertet në vendet tona: përzierja e panevojshme mes burrave dhe grave është në vetvete një arsye e mjaftueshme për të thënë se nuk lejohet pjesëmarrja apo ndihmesa në to. Kësaj i shtohen lakuriqësia, bisedat dhe sjelljet e papërshtatshme që zhvillohen aty, muzika dhe këngët, secila prej të cilave përbën një ndalesë më vete.
Prandaj, koncertet dhe manifestimet ku ka lakuriqësi, alkool, përzierje të panevojshme të gjinive, muzikë dhe shfrenim nuk lejohet të ndihmohen në asnjë formë: as duke shitur bileta online, as fizikisht, as duke i organizuar, e as duke dërguar njerëz në to. Përkundrazi, muslimani duhet të përpiqet t’i largojë njerëzit nga pjesëmarrja në to. Madje, edhe nëse dikush e ka blerë një biletë, duhet të këshillohet që të mos shkojë dhe të mos ia shesë askujt tjetër. Edhe nëse ajo biletë humbet, më mirë të humbet sesa të përdoret për të ndihmuar në një mëkat.
Ndërsa sa u përket ndeshjeve të futbollit, këtu ekziston diskutim mes dijetarëve nëse futbolli sjell dobi apo jo. Megjithatë, është e qartë se futbolli ka zënë një vend të madh në zemrat e shumë njerëzve, sidomos të rinjve, përfshirë edhe të rinjtë muslimanë. Shpesh ata e përjetojnë fitoren e një skuadre apo të një shteti në futboll sikur të ishte një fitore ushtarake, gjë që nuk do të duhej të ndodhte.
Megjithatë, nëse dikush dëshiron të merret me biznesin e rishitjes së biletave për ndeshje sportive, atëherë gjykimi varet nga kushtet e vendosura nga organizatori.
Nëse organizatori i ndeshjeve i shet vetë biletat dhe nuk lejon që ato të rishiten nga persona të tjerë, ose nuk lejon që të shiten me çmim më të lartë apo më të ulët se çmimi i përcaktuar, atëherë rishitja nuk lejohet. Arsyeja është se kjo konsiderohet treg i zi. Në këtë rast, nëse dikush ka blerë disa bileta për vete dhe për shokët e tij, por ata nuk mund të marrin pjesë, lejohet t’ia shesë dikujt tjetër vetëm me të njëjtin çmim me të cilin e ka blerë.
Mirëpo, nëse organizatori ua lejon njerëzve ose kompanive që t’i rishesin biletat sipas dëshirës së tyre dhe nuk vendos kufizime për çmimin, atëherë kjo është e lejuar. Në këtë rast, organizatori ua ka dhënë të drejtën e rishitjes dhe njerëzit janë të lirë t’i shesin sipas marrëveshjes së tyre.
Pra, gjykimi ndryshon sipas kushteve të vendosura nga organizatori i ndeshjes. Nëse ai dëshiron ta mbajë vetë kontrollin mbi shitjen e biletave dhe përcakton se ato duhet të shiten vetëm me çmimin e caktuar, atëherë nuk lejohet të ndërhyhet në këtë proces duke i rishitur me çmime të tjera, pasi kjo konsiderohet treg i zi. Ndërsa nëse organizatori ua lejon individëve ose kompanive t’i rishesin lirisht, atëherë nuk ka pengesë, in shaa Allah.
/Hoxhë Dr. Rasim Haxha/




