Pyetja: Dikur bëja shumë betime, tepër shumë, dhe i kam thyer ato, ndoshta më shumë se një mijë betime. Tani nuk kam para për të ushqyer dhjetë mijë të varfër dhe është tepër e vështirë për mua të agjëroj më shumë se nëntë vjet, sidomos sepse kur kam uri ndihem i lodhur dhe më merret mendja, dhe nuk mund të bëj gjithçka që bëj kur nuk kam uri. Edhe pse mund ta përballoj lodhjen e agjërimit, e shoh se agjërimi për nëntë vjet do të ishte shumë i vështirë.

Pra, çfarë duhet të bëj?

Përgjigjja:

Falënderimi i takon Allahut, paqja dhe bekimet qofshin mbi të Dërguarin e Allahut.

Së pari:

Muslimani është i detyruar ta ruajë gjuhën e tij dhe të mos bëjë shumë betime, sepse betimet e shumta e çojnë njeriun në obligime që nuk i kishte pasur më parë, qoftë për të kryer një veprim, për të dhënë kefaret (shlyerjen e betimit), apo edhe për të rënë në mëkatin e betimit të rremë.

Tekstet fetare e urdhërojnë muslimanin t’i ruajë betimet e tij dhe e qortojnë atë që betohet shpesh.

Allahu i Lartësuar thotë:

“Por ruajini betimet tuaja. Kështu Allahu jua sqaron argumentet e Tij, që të jeni mirënjohës.”
(El-Maide, 5:89)

El-Begavi (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Qëllimi është të përmbaheni nga betimet; pra, të mos betoheni pa nevojë dhe në mënyrë të shpeshtë. [Citim nga Tefsiri i El-Begaviut (3/93)].

El-Kasimi (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Urtësia e urdhrit për të pakësuar betimet është se, kur dikush betohet vazhdimisht në emër të Allahut për çdo çështje, të madhe apo të vogël, gjuha e tij mësohet me këtë, ndërsa zemra e tij humbet madhërimin për betimin. Kështu nuk ka garanci se nuk do të bjerë në betim të rremë, dhe betimi humbet vlerën dhe qëllimin e tij. [Citim nga Tefsiri i El-Kasimit (2/192)].

Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: “Mos iu bind asnjë betimtarit të rëndomtë e përçmues.” (El-Kalem, 68:10)

Ibn Kudame (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Është mekruh të betohesh shpesh në emër të Allahut, sepse Allahu i Lartësuar ka thënë: “Mos iu bind asnjë betimtarit të rëndomtë e përçmues.”  [Citim nga El-Mugni (13/439)]

 

Së dyti:

Nëse vlerëson se numri i betimeve të thyera arrin rreth një mijë, dhe ato kanë qenë për çështje të ndryshme, ndërsa gjendja jote është ashtu siç e përshkruan ke bërë shumë betime dhe është tepër e vështirë t’i shlyesh ato me agjërim ose me forma të tjera të kefaretit atëherë, sipas mendimit që duket më i fortë në këtë rast, dhe Allahu e di më së miri, mund të ndjekësh mendimin e Imam Ahmedit, i transmetuar në njërin prej dy transmetimeve prej tij dhe që është mendimi zyrtar i medhhebit hanbelij: mjafton një kefaret për të gjitha betimet e kaluara.

Imam Ahmedi (Allahu e mëshiroftë) u pyet: Çfarë mendon për dikë që është betuar për shumë çështje të ndryshme, ose është betuar disa herë për të njëjtën çështje, qoftë në një tubim apo në tubime të ndryshme?

Ai u përgjigj: Nëse ende nuk ka dhënë asnjë kefaret, atëherë mjafton një kefaret. [Citim nga Mesa’il el-Imam Ahmed ue Is’hak ibn Rahavejh (5/2439).]

Ibn Kudame (Allahu e mëshiroftë) ka thënë:

Nëse dikush është betuar për shumë veprime të ndryshme dhe ka thënë: “Pasha Allahun nuk do të ha”, “Pasha Allahun nuk do të pi”, “Pasha Allahun nuk do të vesh”, atëherë për këtë ka dy transmetime nga Imam Ahmedi. Sipas njërit prej tyre, mjafton një kefaret për të gjitha këto betime. Këtë mendim e kanë zgjedhur Ebu Bekri dhe El-Kadiu, sepse bëhet fjalë për një lloj të vetëm kefareti, prandaj ato bashkohen, ashtu si ndodh me disa dënime të caktuara (hudud).

Sipas transmetimit tjetër, duhet kefaret për secilin betim veçmas, sepse secili është betim më vete dhe nuk prishet njëri duke prishur tjetrin. Megjithatë, Ebu Bekri tha se mendimi i parë është më i saktë.

Citim nga El-Kafi fi Fikh el-Imam Ahmed (4/195).

Ibn en-Nexhxhari (Allahu e mëshiroftë) ka thënë:

Kush bën shumë betime për të njëjtin motiv, edhe nëse ato lidhen me veprime të ndryshme si p.sh.: “Pasha Allahun nuk do të ha”, “Pasha Allahun nuk do të pi”, “Pasha Allahun nuk do të jap”, “Pasha Allahun nuk do të marr” nëse ende nuk ka dhënë kefaret, atëherë mjafton një kefaret.

Citim nga Sherh Munteha el-Iradat (11/106). Shih gjithashtu: Keshshaf el-Kina’ (14/415).

Në librin Nejl el-Me’arib bi Sherh Delil et-Talib (2/426) thuhet:

Kush i thyen betimet, edhe nëse ka bërë një mijë betime në emër të Allahut dhe ende nuk ka dhënë kefaret, i mjafton një kefaret, edhe nëse betimet kanë qenë për veprime të ndryshme, si: “Pasha Allahun nuk do të ha”, “Pasha Allahun nuk do të pi”, “Pasha Allahun nuk do të vesh”…

Megjithatë, në çdo rast, ajo që duhet të bësh është të ruash betimet e tua në të ardhmen dhe të mos betohesh shpesh, qoftë kur thua të vërtetën apo gënjen, dhe qoftë me synimin për ta mbajtur apo për ta thyer betimin.

Allahu e di më së miri.

Burimi: Islamqa.info  / Solli në gjuhën shqipe pergjigje.net