Pyetja: Çfarë duhet të bëjmë me paratë që i kemi fituar nga afatizimi nëpër banka? Nuk e kemi ditur që afatizimi është i ndaluar.

Përgjigjja: Afatizimi është kur i depoziton paratë e tua në bankë dhe të thonë: ‘Po ta japim një afat kohor dhe, nëse nuk i tërheq brenda dy apo tri viteve, ne të japim një shpërblim’. Atyre u thonë shpërblim, i thonë kamatë ose çfarëdo që i thonë… 2% të atyre parave që i bllokon, domethënë i bllokon dhe nuk i tërheq. Ja, ky është afatizimi. Domethënë i afatizon paratë, i vendos në bankë dhe i afatizon për një afat të caktuar: një vit, dy apo tri, varësisht se sa kërkon banka, dhe nuk i tërheq. Përderisa nuk i tërheq, ata si shpërblim për këtë shërbim të japin një përqindje: 2% apo 3%. Ata mund t’i thonë shpërblim ose çfarëdo që i thonë, mirëpo kjo është kamatë. Kjo është kamatë, sepse unë, kur i lë paratë në bankë, domethënë e kam futur bankën në borxh. Domethënë, unë po i lë paratë e mia te ti dhe i marr më vonë. Ose ia kemi lënë në besë bankës, domethënë për të na i ruajtur paratë, ose i kemi dhënë borxh, por në të dyja rastet ne i marrim pastaj. E kështu që, askush për borxh… domethënë për borxh kur i lë paratë në bankë (që konsiderohet borxh që i kemi dhënë bankës), nuk lejohet të marrësh kamatë, nuk lejohet të marrësh më tepër.

Nëse dikush i ka marrë ose nëse dikush i lë në bankë dhe s’ka ku t’i lërë (domethënë frikësohet dhe nuk ka metodë tjetër për t’i lënë në bankë për një afat të gjatë përveçse kështu), ose dikush i afatizon e nuk e ka ditur që është i ndaluar afatizimi, dhe tani e kupton: a ta marrë atë kamatë apo mos ta marrë? Shumë prej dijetarëve thonë ‘mos e merr’, mirëpo një pjesë tjetër e dijetarëve thonë se ‘duhet t’ia marrësh bankës’, dhe kjo ndoshta është më e arsyeshme. Sepse po t’ia lëmë bankës atë kamatë e mos t’ia marrim, ajo vetëm sa fortësohet dhe vetëm sa kënaqet kështu. Mirëpo ne e morëm, jo për vete! Ne e morëm dhe e larguam, e dhanë diku. Jo me qëllim sadakaje, sepse ajo nuk është sadaka; ajo është para e pandershme që nuk lejohet ta fusësh në shtëpinë tënde, nuk lejohet të ushqehesh me të dhe nuk lejohet ta përdorësh për vete. Dhe e japim për qëllime… domethënë shërbime të përgjithshme të njerëzve: nëse doni për një rrugë ose diçka për të cilën ka nevojë shoqëria, e japim atë para për ta larguar nga vetja, sepse nuk është para juaja dhe nuk lejohet të shfrytëzohet apo të përdoret.

I kemi marrë për dy arsye: ose për mos t’ia lënë bankës, ose sepse nuk e kemi ditur që lejohet dhe e kemi marrë; atëherë duhet ta largojmë. Nëse na ka kaluar (për shembull në të kaluarën, para dy apo tri vitesh na ka ndodhur kjo), atëherë çfarë duhet të bëjmë? Atëherë e llogarisim atë përqindje që na ka dhënë banka për shkak të afatizimit, e nxjerrim prej parave tona dhe e japim diku, jo me nijet sadakaje, por me nijet për ta pastruar pasurinë. Sepse ajo pasuri nuk duhet të rrijë në xhepat tanë, të zërë vend tek ne, e as ta shfrytëzojmë për nevojat tona, për të ngrënë e për të pirë. Gjithashtu duhet edhe pendimi, që të mos kthehemi më në një vepër të tillë, për arsye se është haram, është kamatë, e kamata është prej gjërave më të mëdha.”

/Hoxhë Rasim Haxha/