A lejohet ta prishim agjërimin nafile (vullnetar) me qëllim që të ruhemi nga syfaqësia? Gjithashtu, a është më e udhës ta çelim iftarin në xhami ku ekziston rreziku të na shohin njerëzit apo më mirë të hamë në shtëpi?
Përgjigjja:
Fillimisht, duhet të kuptojmë se vetë frika e tepruar nga syfaqësia ndonjëherë kthehet në një kompleks më vete. Njerëzit shpesh hyjnë në biseda e dyshime me veten: “O vëlla, nuk e di, sinqeriteti po na ikën e po na kaplon syfaqësia.” Në këtë mënyrë, vetë ky kompleks rrezikon të shndërrohet në syfaqësi.
Nga ana tjetër, të prishësh apo t’i lesh veprat e mira pa i bërë nga frika e syfaqësisë është një mendjelehtësi. Allahu nuk na ka urdhëruar t’i braktisim veprat e mira për shkak të syfaqësisë, por na ka urdhëruar ta lëmë vetë syfaqësinë.
Përballë nesh qëndrojnë dy gjëra: vepra e mirë dhe rreziku i syfaqësisë. Pyetja është: Cilën nga këto të dyja duhet ta lëmë? Duhet të lëmë syfaqësinë, por kurrsesi veprën e mirë!
Shejtani përpiqet ta përdorë frikën e syfaqësisë si armë. Përmes këtij kërcënimi, ai ju pëshpërit: “Ja, ti po agjëron apo po shkon në xhami vetëm se po të shohin njerëzit.” Si rezultat, njeriu fillon t’i braktisë punët e mira duke menduar se po bën syfaqësi.
Mos e lini punën e mirë! Luftoni kundër syfaqësisë dhe jo kundër veprës suaj të mirë. Vepra e mirë nuk lihet absolutisht. Në këtë rast, lufta bëhet për të rregulluar nijetin (qëllimin) dhe për të ruajtur sinqeritetin, por kurrsesi për të ndërprerë adhurimin.
Çelja e iftarit në shtëpi apo në xhami
Nëse jeni në shtëpi dhe nuk e keni obligim daljen në xhami, kjo është e thjeshtë: sapo thërret ezani, e çelni iftarin te shtëpia.
Nëse e keni xhaminë afër, është mirë të dilni për të falur namazin. Nëse dëshironi të ruheni nga sytë e njerëzve, mund të bëni durim dhe ta çelni iftarin duke pirë vetëm pak ujë apo duke ngrënë diçka të vogël në mënyrë diskrete. Mirëpo, edhe nëse të tjerët ju shohin, kjo nuk është marre (turp).
Fakti që njerëzit t’i zbulojnë apo t’i shohin veprat e mira nuk do të thotë automatikisht se ka humbur sinqeriteti apo se ka humbur shpërblimi i punës. Fundja, njerëzit na shohin edhe kur shkojmë për të falur namazin në xhami.
A përbën rrezik nëse të tjerët ju shohin?
Thjesht fakti që njerëzit e marrin vesh ose ju shohin duke bërë punë të mira nuk përbën rrezik.
Rreziku i vërtetë lind vetëm atëherë kur prania e njerëzve na nxit ta zbukurojmë apo ta bëjmë një punë më mirë nga sa do ta bënim po të ishim vetëm. Kjo është ajo që duhet mënjanuar.
Sigurisht, punët e mira është mirë t’i ruajmë dhe të përpiqemi t’i bëjmë me sa më pak sy njerëzish pranishëm. Mirëpo, nëse njerëzit na shohin pa dashjen tonë, kjo kurrsesi nuk do të thotë se ne duhet t’i braktisim veprat e mira.
/Hoxhë Dr. Rasim Haxha/




