Pyetja: Kam hyrë në pushim para lehonisë dhe jam paguar gjatë gjithë kohës. Këto para i kam kursyer, bashkë me pagesat që i bëjmë për shkak të lindjes së fëmijës. Unë i kam kursyer tash, a janë paratë haram? Po kam një vesvese (dyshim) prej atje se nuk i kam hallall.
Përgjigja: Nëse ke hyrë në pushim para se të të vijë koha e lindjes, para lehonisë, domethënë para rregullit që e parasheh shteti për të marrë pushimin, por ta kanë dhënë pushimin në firmë qoftë për shkak se të është dashur pushim mjekësor, apo për shkak të një shtatzënie më të rëndë përderisa ata ta kanë dhënë pushimin, i bie se këtu jemi në rregull dhe jemi OK.
Sikur të mos e kishe merituar pushimin ose të mos ishte e ligjëruar, nuk do të t’a kishin dhënë. Kjo vlen përveç rasteve kur pushimi kërkohet me mashtrime, me lajka apo me gënjeshtra. Për shembull: lajmërohesh si i sëmurë pa qenë i sëmurë, shkon te mjeku dhe merr raporte të rrejshme duke thënë “unë s’mund të punoj për një muaj apo dy”, e pastaj merr pushim mjekësor. Kjo është mashtrim. Allahu na ruajt! Allahu bën vaki që atij personi pastaj atë rrogë që e ka marrë t’ia harxhojë diku tjetër (për shëndet ose ilaçe), sepse kjo është mashtrim.
Njeriu merr pushim mjekësor vetëm kur ka nevojë dhe kur ia lejon sistemi i punës dhe i pagave.
Prandaj, përderisa ke hyrë në pushim para lindjes dhe ta kanë dhënë pushimin, e cila më pas ka vazhduar me pushimin e lehonisë që është legjitim, atëherë të gjitha pagat dhe të ardhurat që i ke marrë janë plotësisht në rregull. Për arsye se je OK me sistemin, as nuk ia ke vjedhur askujt, as nuk e ke mashtruar dhe as nuk e ke gënjyer.
Përderisa keni qenë korrektë dhe të drejtë, me lejen e Allahut të Lartësuar, të gjitha këto para që i ke mbledhur dhe kursyer, harxhojë për vete dhe kudo që ke nevojë, sepse inshallah Taala nuk i ke haram dhe i ke plotësisht hallall!
/Hoxhë Dr. Rasim Haxha/




