Pyetja: Kisha një pyetje në lidhje me një situatë kur ndodh që të kalojë koha e ikindisë për shkak të disa rrethanave dhe hyn koha e akshamit. A duhet ta fal ikindinë, pastaj bashkë me xhematin ta fal akshamin, apo duhet që edhe një herë pas akshamit t’i përsëris ikindinë dhe akshamin, apo mjafton vetëm ajo? Dhe a ngarkohem me gjynahin e faljes së ikindisë jashtë kohës, përkundër se bëj maksimumin e mundshëm që të mos më ikë ikindia, mirëpo kjo ndodh për shkak të rrethanave?
Përgjigjja:
Rëndësia e ruajtjes së kohës së namazit
Fillimisht, besimtari duhet të japë maksimumin që të mos i ikë termini i namazit. Nuk po na ikën termini i punës, nuk po na ikën termini i futbollit, nuk po na ikën termini i dasmave termin pas termini atëherë pse të na ikë termini i namazit? Duhet ta bindim veten dhe ta ngulisim në kokë se termini i namazit është termini më i rëndësishëm dhe nuk ka si të na ikë. Pastaj, biidhni-llahi teala (me lejen e Allahut të Lartësuar), nëse njeriu gjendet në këtë ambient e atmosferë, duke krijuar rrethana për veten që ta falë namazin, nuk do ta lërë atë.
Mirëpo, ja që ndodh dikujt, për shembull: imani i dobët, pak neglizhencë, pak dembeli, pak “hajt pak”, dhe veç kur e sheh veten se ka hyrë koha e akshamit e nuk e ka falur ikindinë. Çfarë duhet të bëjë në këtë rast?
Si veprohet kur ka hyrë koha e akshamit pa u falur ikindia?
Lidhur me këtë, dijetarët kanë diskutuar se si duhet të falen këto namaze: a duhet të falen me renditje apo nuk është kusht renditja. Kjo për faktin se nuk ka ndonjë hadith që e përcakton në mënyrë precize këtë çështje. Megjithatë, mbajtja e renditjes është më e mira.
Ja si veprohet sipas situatës:
- Nëse jeni në shtëpi ose jo në xhemat: Kur ka hyrë akshami dhe ikindia ka mbetur pa u falur, atëherë e falni fillimisht ikindinë dhe pastaj akshamin.
- Nëse hyni në xhami dhe akshami është duke u falur me xhemat: Në këtë rast keni dy mundësi:
- Të falni ikindinë pa u vonuar shumë në të dhe pastaj të lidheni me imamin për aq sa arrini prej namazit të akshamit; ndërsa pjesën që nuk e keni arritur, ngriheni dhe e vazhdoni pasi imami të japë selam.
- Ta falni akshamin me imamin, e pastaj, pasi ta përfundoni akshamin me imamin, ta falni ikindinë.
Përjashtimi kur koha e akshamit është e ngushtë
Në mënyrë të përgjithshme mbahet renditja – domethënë falet ikindia e pastaj akshami. Vakti që ka ikur falet i pari dhe më pas falet akshami, përveç nëse koha është e ngushtë. Për shembull, nëse edhe akshamit nuk i ka mbetur shumë kohë dhe duke falur ikindinë na ikën edhe koha e akshamit, atëherë e falim fillimisht akshamin, në mënyrë që të mos na mbesin dy namaze jashtë kohës së vet. Pra, në atë rast e falim akshamin e pastaj ikindinë.
Gjynahi i vonesës dhe pendimi
Ndërsa gjynahi është nëse e kemi lënë namazin nga neglizhenca kur kemi pasur mundësi të falemi dhe të krijojmë rrethana për t’u falur, por nuk jemi falur. Ilaçi i kësaj gjendjeje është pendimi: të pendohemi te Allahu dhe të mundohemi që më të mos na ikë as ikindia dhe asnjë namaz tjetër.
Hoxhë Dr. RASIM HAXHA




